”A nuk e kuptojnë ata këtë?” – Rusia përsërit kërcënimin pas planit të Britanisë dhe Francës për trupa në Ukrainë

Kremlini ka mohuar pretendimet mbi bisedimet mes Britanisë dhe Francës për vendosjen e trupave në Ukrainë, ndërsa zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se nuk ka një unanimitet mes vendeve evropiane për këtë çështje.

Sipas tij ”disa kokë të nxehta” po shtyjnë përpara idenë, transmeton klankosova.tv.

Raporti i Le Monde pretendon se bisedime të ndjeshme dhe të klasifikuara janë rifilluar pas fitores së Donald Trump, duke ngritur shqetësime për një tërheqje të mundshme të mbështetjes amerikane për Ukrainën.

Sipas burimeve të saj, vizita e kryeministrit britanik Keir Starmer në Francë gjatë ceremonive të 11 Nëntorit ka qenë një katalizator i këtyre diskutimeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron, që në shkurt shkaktoi polemika duke mos përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave, duket se ka rikthyer çështjen në vëmendje. Gjermania, megjithatë, vazhdon të kundërshtojë fort çdo veprim të tillë.

Sir Keir Starmer u bë kryeministri i parë britanik që merr pjesë në përkujtimet e Ditës së Armëpushimit në Francë që nga koha e Winston Churchill, duke theksuar simbolikën historike të aleancës britaniko-franceze në këto kohë sfiduese për Evropën.

Gjatë majit të këtij viti, Rusia veçse kishte paralajmëruar Francën se nëse presidenti Emmanuel Macron dërgon trupa në Ukrainë, ato do të konsideroheshin si objekte legjitime për sulm nga ushtria ruse.

Macron kishte shkaktuar polemika në shkurt kur deklaronte se nuk mund të përjashtonte mundësinë e dërgimit të trupave tokësorë në Ukrainë në të ardhmen.

Mbi këto paralajmërime presidenti rus, Vladimir Putin pati deklaruar se “Pasojat për ndërhyrësit e mundshëm do të jenë… tragjike”.

”Ne gjithashtu kemi armë që mund të godasin objektivat në territorin e tyre”, shtonte ai, transmeton klankosova.tv.

”A nuk e kuptojnë ata këtë?”, pyeste ai.

Putin vazhdonte qëndrimin e tij tutje se e gjithë kjo kërcënon vërtet një konflikt me përdorimin e armëve bërthamore dhe shkatërrimin e qytetërimit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share