Kryeministri Edi Rama foli për gazetarët shqiptarë pas fjalës dhe debatit në Këshillin e Europës ku kërkoi që të rrëzohen akuzat ndaj Kosovës dhe të pranohet kërkesa e Shqipërisë. Kreu i qeverisë u pyet nëse ky qëndrim mund të cenojë raportet me Serbisë. Por kryeministri tha se beson që gjërat duhen thënë. Sipas tij, e vërteta dhemb, por shëron.
Pyetje: Zoti Kryeministër pati një reagim të fortë të një deputeteje serbe në asamble, a mendon se ky debat mund të transferohet në parlamentin e Serbisë dhe mund të cenojnë raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë?
Edi Rama: Nuk nisem nga këto kur është fjala për të thënë të vërtetën dhe kur është fjala për të mbajtur qëndrimit që sipas meje janë ato që kam detyrë të mbaj. Që do të ketë debat në Serbi, patjetër që do të ketë. U bë një kohë e gjatë që debati për mua është në Kosovë si shërbëtori i Serbisë. Tani që do të ketë debate në Serbi si unë nxitësi i rredentizmit kosovar le të ketë se kështu është më mirë besoj. Përtej shakasë nuk kam asnjë shqetësim. Unë besoj që gjërat duhen thënë, që e vërteta dhemb, por shëron. Edhe ilaçet të hidhura janë, nuk kemi pirë ndonjëherë ilaç të ëmbël, nuk është shpikur, akoma, por ilaçet shërojnë, karamelet nuk shërojnë.
Duke iu referuar debateve që pasuan pas fjalimit të tij, Rama tha do të ishte i shqetësuar nëse nuk do të kishte reagime. Ai u shpreh se kjo është normale.
“Nëse nuk do të kishte reagime do të isha i shqetësuar sepse mund ta kalonin dhe ok u mbajt një fjalim s’ka problem. Edhe prezenca ishte goxha e madhe në krahasim me normalitetin e prezencave këtu. Por është normale sepse është si një bombë në mes në mes të mexhelisit ku është gatuar gjithë ajo çorbë. Nuk akuzoj askënd për asnjë qëllim të keq, por përsëri them që është gatuar një çorbë e shpifur në përpjekjen për të gatuar një ushqim të mrekullueshëm”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, nëse replikat që pati me deputetët europianë pas fjalës së mbajtur, mund të ndikojnë në votim Rama tha: “Nuk është nderi ynë në pyetje këtu në radhë të parë. Nderi i Kosovës jo e jo. Këtu është nderi i Këshillit të Europës, që është në pyetje, këta duhet të venë në vend nderin e tyre, nderi jonë është në vend dhe nuk e luan topi”./tvklan.al