Duke folur për rrugëtimin e tij politik përballë gazetarëve Adriatik Kelmendi, Berat Buzhala dhe Blendi Fevziu, kreu i BDI-së Ahmeti është shprehur se jo vetëm lufta në Maqedoni, por edhe të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi kanë pasur mundësi për t’u shmangur. Shmangia, sipas tij, mund të vinte nëse plotësoheshin kërkesat e shqiptarëve, që kanë qenë shumë legjitime. Sipas Ahmetit, shqiptarëve iu morën edhe ato pak të drejta që kishin në fund të viteve 80 dhe fillimin e viteve 90.
“A ka mundur të shmanget lufta? Jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Jugosllavi ka mundur të shmanget lufta nëse pranoheshte Republika e Kosovës, nëse do të respektoheshin të drejtat e shqiptarëve sipas Kushtetutës së vitit 1974 sigurisht se nuk do të kishte luftë. Por as Serbia nuk i respektoi kërkesat tërësisht legjitime për avancim në republikë të barabartë me 6 republikat tjera, por u bë hap pas. Iu mor Kosovës edhe ajo pak autonomi që kishte në vitin 1989, u përsërit dhe u vendos siç ishte në vitin 1945 regjimi ushtarak policor, në 89-tën u vendos regjimi ushtarako-policor i Millosheviqit në Kosovë. Në Maqedoni në 90-tën u abrogua Kushtetuta e 74-shit. Do të thotë se shqiptarët mbetën pa asnjë të drejtë”, u shpreh Ahmeti./tvklan.mk