A ishte shkëmbimi i territoreve një zgjidhje më e mirë? – Si përgjigjet Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai u pyet në lidhje me çështjen e asociacionit të komunave serbe. Fevziu e pyeti Kurtin nëse shkëmbimi i territoreve ishte një zgjidhje më e mirë se sa asociacionet. Por sipas Kurtit ajo nuk ishte zgjedhje, por relativizonte shtetësinë e Kosovës dhe mundësonte hegjemoninë e Serbisë në Ballkan.

Blendi Fevziu: Zoti Kurti i rikthehem edhe një herë. Duket se me 10 asociacionet serbe brenda territorit të Kosovës, me 20 e ca përqind të territorit të kontrolluar nga serbët që në një moment tensioni mund të agravojë, në një moment po e quaj mund të jetë më normale, a mos ishte shkëmbimi i territoreve një zgjidhje më e mirë?

Albin Kurti: Jo nuk ishte kurrëfarë zgjidhje. Ajo ishte zgjidhje për ta relativizuar shtetësinë e Kosovës dhe për ta mundësuar edhe më tej hegjemoninë e Serbisë në Ballkan.

Blendi Fevziu: Pse? Lije disa territore që dominohen nga serbët dhe mesa duket do të dominohen nga serbët, merrje disa territore që janë shqiptare dhe hapje rrugën përfundimisht një bashkimi të mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ju vetë thatë që kjo ka qenë në finale dhe e dimë që prej vitit 1912 kur përfaqësuesit e territoreve të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë në Vlorë sepse kanë qenë me mandat, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, kanë pasur delegatët e tyre. Që atëherë ëndrra kryesore ka qenë bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Për arsye gjeopolitike dhe për arsye pragmatike në vitin ’89 LDK elaboroi idenë e Kosovës si shtet i pavarur sepse ju e dini që bashkimi, ndryshimi i kufijve ishte i pamundur. Kur ky bashkim afrohej, pse mos bëhej? Nga cila pikëpamje e kontestoni?

Albin Kurti: Në kushtet kur Serbia nuk pranon pavarësinë, nuk i njeh krimet, ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërisë rreth kufirit të Kosovës, të besosh që do bësh shkëmbim territorial territorial në mënyrë paqësore nuk është as ëndërr e bukur.

Blendi Fevziu: Po nëse realizohej kjo marrëveshje, kishte gjë të keqe? E kam tek principi. Mund të ishim një shtet prej 4 milionë e 800 mijë njerëzish tani në një bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Do ishim me një ndikim shumë të fortë në Ballkan.

Albin Kurti: Stërkeqe më të madhe se çështjen e bashkimit të shqiptarëve ta trajtosh nëpërmjet trajektores që kalon në Beograd nuk ka.

Blendi Fevziu: Përtej Beogradit.

Albin Kurti: Ashtu i bie. Për t’u bashkuar me Shqipërinë na u dashka të merremi vesh me Beogradin? Stërkeqe më të madhe të bashkimit kombëtar nuk ka se kaq.

Blendi Fevziu: A ka shans tjetër bashkimi kombëtar?

Albin Kurti: Kjo është çështje e popullit dhe liderët nëse prijnë në gjëra të tjera këtë duhet ta ndjekin popullin.

Blendi Fevziu: Ky është problemi se zakonisht nga lart, nga koka, ka kontestime jo në bazë. Sondazhet që unë kam parë janë ndjeshëm në favor të një bashkimi të mundshëm.

Albin Kurti: Andaj po them shtetet tona duhet të jenë në shërbim të vullnetit dhe të interesit të qytetarëve për sa më shumë integrim, e afrim, e bashkim./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share