A ia vlen njohja “de facto” e Kosovës nga Serbia? Flasin ekspertët

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë nuk po e ka synimin primar për njohje reciproke mes të dyja vendeve.

Pas takimit të fundit në Bruksel të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me pesëshen e liderëve nga Evropa, Kosovës iu kërkua themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbisë njohja “de-facto” e Kosovës.

Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, shpjegon se termi “de-facto” përdoret për të treguar se një vend, qeveri apo etnitet është funksional dhe ekziston në realitet, por nuk është njohur në mënyrë zyrtare, në këtë rast Kosova nga Serbia.

“Njohja ‘de-facto’ është një njohje efektive e situatës aktuale në terren, ku s’ka nevojë të ketë një deklaratë formale nga Serbia dhe kjo nga BE-ja dhe ShBA-ja po shihet se mund të jetë një fazë paraprake drejt njohjes ‘de-jure’”.

“Njëfarë mënyre s’po e zgjidhim problemin, vetëm po ecim një hap drejt problemit përfundimtar, pra kjo është vetëm një fazë, nga këndvështrimi im sepse njohja ‘de-jure’ është njohje zyrtare dhe ligjore e një vendi, një qeverie”, tha Arifi.

Sipas tij, për palët njohja “de-facto” nuk paraqet obligime ligjore, por është një veprim që vendet mund ta bëjnë në bazë të kujdesit dhe qëndrimit të tyre ndaj situatave aktuale, teksa shtoi se nga njohja “de-facto” është më vështirë të lëvizet drejt asaj “de-jure”.

“Nga njohja ‘de-facto’ është më vështirë të shkohet drejt njohjes zyrtare apo ‘de-jure’, pasi Serbia do të blinte kohë jashtëzakonisht shumë për ta arritur që ta ndryshonte qëndrimin dhe ta kishim njohjen ‘de-jure’, ligjërisht të obligueshme”.

Në një mënyrë edhe vetë Perëndimi po i ikë atij obligimi, marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila i bie eksplicit njohje ‘de-jure’ e Kosovës. Mendoj që vetëm po humbim kohë shumë të vlefshme për Kosovën, por jo për Serbinë. E gjithë kjo humbje e kohës do të jetë reflektojë në dëm të zhvillimit të shtetit të Kosovës”, tha Arifi.

Ndërsa, për njohësin e zhvillimeve politike, Arbnor Sadikun, njohja “de-facto” konsiderohet si hap i parë drejt njohjes ‘de-jure’, e po ashtu paraqet njohje të përkohshme të një shteti.

Sadiku tha se njohja “de-facto”, në bazë të Konventës së Montevidios është atëherë kur një shtet ka kontroll të mjaftueshëm mbi një territor të caktuar.

“Bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare Publike, me njohje ‘de facto’ nënkuptohet nëse një shtet ka vendosur marrëdhënie normale diplomatike me një qeveri të një shteti të ri. Kjo bëhet në formën që në këtë rast Serbia bën një deklaratë se shteti i Kosovës është efektiv dhe ekziston në praktikë, por jo legal“.

“Pra, thënë ndryshe, me njohje ‘de facto’ Serbia e njeh realisht Kosovën në praktikë, dhe shkëmben ambasadorët me Kosovën, njeh dokumentet zyrtare, etj. Por, nuk e njeh ‘de jure’ Kosovën përderisa pavarësia e saj nuk pranohet nga Rusia, Kina dhe aleatet e tyre, që i bie se pranon legalitetin e pavarësisë së Kosovës, por, jo legjitimitetin e saj ndërkombëtar, pra, Serbia e njeh realisht, por jo nominalisht Republikën e Kosovës, derisa Kosova të pranohet në OKB”, tha Sadiku, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Sadiku tha se njohja “de-facto” do të ishte diçka e re, ndonëse thuhet se Serbia e ka njohur Kosovën “de-facto” që nga Marrëveshja e Kumanovës, njohje që sipas tij, s’ka ekzistuar më parë, pasi s’ka pasur komunikim normal midis dy vendeve.

“Në rastin e Kosovës kusht për njohje ‘de-facto’ është zbatimi marrëveshjes së Brukselit, dhe Aneksit të Ohrit, nga Serbia, kurse me njohje ‘de-juro’ nënkuptojmë njohje ligjore të shtetit sovran të Kosovës nga Serbia, dhe pranimin e saj në OKB, me të drejta plota si të gjitha shtetet anëtare të saj”, tha Sadiku.

Kujtojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimeve në Bruksel që pati me pesëshen evropiane ka thënë se ishte i gatshëm për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, Aneksit të Ohrit dhe planin e ri evropiano-amerikan për draft-statutin e Asocicaionit.

Por, sipas tij, kjo gjë nuk u bë, pasi ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai i cili refuzoi të hedhë firmat në këto dokumente./klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share