Kreu i Alternativës, Afrim Gashi në Klan Debat theksoi se bashkëpunimi i krijuar opozitar mes subjektit të tij, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike ka ardhur si kërkesë e qytetarëve. Të tre krerët e partive, sipas Gashit, kanë dëgjuar zërin e popullit që ka kërkuar këtë bashkëpunim.
“Është vullnet i dakorduar i të trija palëve, e kam përshtypjen unë, se e kemi nuhatur momentin dhe e kemi dëgjuar zërin e popullit që na thoshte ‘dua, t’ju shohim bashkë’… këtë e kemi nuhatur, e kemi parë nëpër sondazhe, nëpër takime me struktura. Për shembull në Alternativë, çdo degë e jona, shumica e aktivistëve kanë qenë për një bashkëpunim të tillë, pavarësisht hezitimeve që janë individuale”, theksoi Gashi.
I pyetur nëse urë lidhëse për këtë bashkëpunim ka qenë Izet Mexhiti, kreu i Alternativës deklaroi se dëshira dhe vullneti për bashkëpunim ka qenë reciproke.
“Asnjë prej nesh nuk duam të marrim bajrakun. Nuk duam të shfaqim bajraktarizëm mes veti, por duam të shpërfaqim vullnetin e qytetarëve që duan të na shohin bashkë dhe ne po bëhemi bashkë”, tha Gashi në Klan Debat me Xhumadije Ibraimin./KlanMacedonia