A do të kufizohet Tik-Toku në Maqedoninë e Veriut?!

MINISTRI SHAQIRI: VIJOJNË BISEDIMET ME INSTITUCIONET KOMPETENTE

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, paralajmëroi se edhe sot vazhdojnë takimet me institucionet që bëjnë vlerësimin për rreziqet potenciale nga përdorimi i rrjetit social “Tik-Tok” dhe çfarë materialesh përmban. Po shqyrtohen edhe video-materiale të këtij aplikacioni, kurse MPB-ja do të vlerësojë nëse bëhet fjalë për materiale të dëmshme, njofton KlanM.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, thotë se MPB-ja tashmë është duke analizuar disa video materiale të Tik-Tokut që janë publikuar nga nxënësit dhe nëse vlerësohet se janë joadekuate për moshën e fëmijëve bashkë me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe me institucione tjera, do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të kufizuar mënyrën e përdorimit të Tik-Tokut si aplikacion.

”Janë disa shtete në të cilat është ndalur dhe të cilat kanë përvoja, janë disa shtete tjera në të cilat ka iniciativa dhe në këto iniciativa ka edhe komente nga ana tjetër që të ketë ndalesë të përgjithshme por të shikohet mundësia e mos keqpërdorimit për atë arsye them të gjithë mundësitë janë të përfshira edhe ndalja e tërësishme e Tik-Tokut si mundësi ku shohim që të gjitha këto problematika po vijnë nga ky lloj sistemi” – tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Në punëtorinë me nxënës dhe mësimdhënës me temën “Siguria në shkolla – ndërtimi i mekanizmave të parandalimit dhe paralajmërimi i hershëm” në kuadër të projektit shkencoro-hulumtues të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, sic njofton KlanM, ekspertë dhe profesorë universitar rekomandojnë që në këto projekte të implikohen të gjitha palët.

“Vlerësoj se është problem aktual pas të cilit duhet të gjithë të qëndrojmë dhe të vendoset një qasje ndërdisiplinorë dhe aktivitete në aspekt me të gjitha palët në vend duke përfshirë edhe organizata të ndryshme, ministritë dhe vetë nxënësit, mësuesit dhe prindit që të gjendet zgjidhje dhe rekomandime që të ndalet dhuna në këto treva” – tha Nikola Jankulovski, rektor.

Profesorja universitare, Sofija Arnaudova, duke u bazuar në analizën ku janë përfshirë mbi 2.000 nxënës, sic njofton KlanM, bën me dije se në vendin tonë dhuna shkollore është në rritje.

“Nësë 10 vite më herët nuk e kemi njohur dhunën digjitale sot mund të deklaroj se kjo lloj dhunë kibernetike është njëra nga më të shpeshtat që të rinjtë apo nxënësit ballafaqohen dhe ajo që për mua janë të dhëna të habitshme është që 37% të nxënësve kanë thënë se nuk ndjehen të sigurte në shkollë” – tha Sofija Arnaudova.

Ministri i Arsimit, paralajmëroi se do të analizohet edhe mënyra e shfrytëzimit të rrjeteve tjera sociale, se si të ketë kufizime në mënyrën e krijimit të profileve, konfirmimin dhe futjen e të dhënave.

Për këtë, sic percjell KlanM, do të bisedohet me psikologë, pedagogë, ekspertë të MASH-it, Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe me njerëz të sektorëve të arsimit nëpër komuna.

Sipas tij, bëhet fjalë për masa paraprake, kurse nga viti i ardhshëm shkollor do të ketë protokoll konkret. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share