Filipçe me ofertë për strategji mbipartiake – VMRO dhe BDI në “zënkë dashurie”!

MESAZHET E FUNDVITIT

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në press-konferencën me rastin e 6-mujorit të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së, bëri thirrje për një strategji të përbashkët, mbipartiake që, sipas tj, do të garantojë zhvillimin afatgjatë të shtetit dhe do t`i bashkojë partitë politike rreth planeve reale dhe të qëndrueshme.

“Nga sot ofroj formimin e ekipeve nga të gjitha partitë parlamentare që do të punojnë rreth kësaj platforme, për t`i definuar pozitat strategjike në të gjitha fushat. T`i definojmë projektet kyçe në shëndetësi, arsim dhe në politikën e jashtme dhe bashkë të dalim para qytetarëve dhe t`u themi ky është plani për shtetin këto janë projektet, të cilët asnjë qeveri as tani e as në të ardhmen nuk do t`i bllokojë” – deklaroi Filipçe.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka dënuar, sic tha, strategjinë e partive në pushtet për të shfrytëzuar tensionet etnike si mjet për defokusimin e vëmendjes nga problemet reale. Ai me këtë rast ka përmendur edhe BDI-në, ku sic tha, strategjia e integristëve për nxitjen e tensioneve i konvenon VMRO-DPMNE-së.

“Gjoja konflikti mes tyre në fakt është një zënkë dashurie që na servojnë si destabilizim permanent. Kjo politikë ka vetëm një qëllim, të zhvendos vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale. Do t`ua mbushin kokat me urejtje e ndasi derisa po na zbrazen xhepat nga ana e qeverisë” – tha Filipçe.

Gjatë press-konferencës lideri socialdemokrat, Venko Filipçe ka alarmuar se shkarkimi I Këshillit Gjyqësor do të thotë kontroll të plotë të VMRO-DPMNE-së mbi gjyqësorin. Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që ta ndalojë, sic tha, këtë tendencë të uzurpimit të pushtetit gjyqësor. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share