Pala mbrojtëse në rastin “Organizatorët e 27 prillit”, sot shpallën fitore për këtë rast që është në procedurë gjyqësore para Gjykatës Penale, për shkak se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dje ka dërguar mendimin në gjykatë se me Ligjin për Amnisti duhet të përfshihen edhe të akuzuarit Mile Janakieski, Spiro Ristevski dhe Trajko Veljanovski. Tani I mbetet gjykatës të prononcohet nëse për këta të akuzuar vlen Ligji për Amnisti.
Prokuroria ka dhënë mendimin, se gjykimi për Trajko Veljanovskin, Spiro Ristovskin de Mile Janakievskin, të akuzuar si organizatorë të 27 Prillit, duhet të ndalet konform ligjit për amnisti që paraprakisht ishte zbatuar tek një pjesë e të akuzuarve që u përgjigjën si ekzekutorë. Për Vladimir Atanasovskin, të akuzuarin e katërt, nuk ka patur një propozim të këtillë.
Seanca e sotme është anuluar, kurse vendimi do të merret në seancën e ardhshme gjyqësore të caktuar për më 23 janar.
Lënda për “Organizatorët e 27 Prillit” u shfuqizua nga Gjykata e Apelit dhe është kthyer për rigjykim në gjykatën penale.
Paraprakisht, Trajko Veljanovski ishte dënuar me 6.5 vite burg, ish-Ministrat Janakievski dhe Ristovski me 6 vite dhe tre muaj, derisa ish-Drejtori i DSK-së, Atanasovski me 6 vite burg.