Haziri: Familja Rugova tregoi zemrën e madhe që e priti Kurtin në vizitë, ky e ka quajtur tradhtar presidentin edhe në ditën e varrimit…

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se kryeministri Albin Kurti ka rezistuar dhe ka kundërshtuar gjatë që ta qartësojë qëndrimin e tij për Ibrahim Rugovën, liderin ikonik të kësaj partie dhe të vendit.

Sot, kur partia më e vjetër në vend feston 35-vjetorin e themelimit, Hazirit iu kërkua në Frontal në T7 të flasë për vizitën e kryeministrit në familjen e Rugovës para disa ditësh.

Ai tha se Kurti në ditën e varrimit të Rugovës e ka quajtur atë tradhtar të kombit.

“Unë e shoh që kjo familje e ka zemrën e madhe dhe trashëgon ato vlera të pajtimit që Rugova i ka pasë si lider politik dhe si njeri, sepse unë ia kujtojdeklaratën Albin Kurtit në ditën e varrimit të Rugovës më 21 janar 2006: kualifikimi që po varroset një tradhtar i kombit. Dhe i ka ftuar njerëzit të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së beson se disa votues të LDK-së që shkuan në LVV “janë kthyer”.

“Katër vjet janë të mjaftueshme me e pa qeverisjen. Qeverisja nuk është llaf, nuk është vetëm fjalë, nuk është vetëm deklarim. Qeverisje është veprim”, tha Haziri.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share