Abdixhiku homazhe tek Rugova: Ishte e mbetet arkitekti i shtetit tonë, prijësi historik i lëvizjes për liri

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 35 të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abdixhiku është shprehur se Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet arkitekti i shtetit tonë, prijësi historik i lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Në 35 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes më të madhe kombëtare për Liri, Pavarësi e Demokraci, zhvilluam homazhe tek varri i prijësit historik të LDK-së, Presidentit Historik të Kosovës, Atit Themeltar të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova. LDK nisi si aspiratë e popullit të Kosovës për liri, gjersa programi politik i saj, u shndërrua në projekt kombëtar të popullit të Kosovës. Ky projekt kulmoj me shtetin tonë, Republikën tonë”.

“Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet arkitekti i shtetit tonë, prijësi historik i lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai ishte njeriu që u qëndroi sfidave më të vështira të kohës me mençurinë, vizionin dhe qëndrueshmërinë që i karakterizojnë njerëzit e mëdhenj. Veprat e tij jetësore janë gurët themeltarë të Republikës sonë – një trashëgimi që na frymëzon dhe na udhëheq çdo ditë – ndërsa emri i tij është vlerë e patjetërsueshme e historisë së Kosovës”, shkroi Abdixhiku.

Ai u shpreh gjithashtu se LDK sot, me gjithë trashëgimtarët politik e idelogjik të rugovizmit, siç tha “e ndjenë peshën e madhe historike të ndryshimit të domosdoshëm për realizimin në plotni të projektit tonë identitar të nisur 35 vite më parë”.

“Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE, e me miqësi të përheshme me SHBA-të; ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot dhe padyshim do të jetë dhe misioni ynë nesër. Urime 23 dhjetori”, u shpreh kreu i LDK-së.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share