Zgjerimi i Bulevardit “Cvetan Dimov”! Arsovska kërkon ndihmën e Qeverisë, Mexhiti: Jemi të gatshëm!

Zgjerimi dhe rikonstruimi i famshëm i rrugës ‘Çairçanja’, vazhdon të jetë mollë sherri dhe të përplas në mënyrë deklarative figurat politike në vendin tonë.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në një prononcim për Klan Maqedoni ka thënë se për t`u nisur e përfunduar me sukses projekti, duhet patjetër ndihma e Qeverisë sepse siç tha, komunat nuk kanë kapacitet të realizojnë një projekt të tillë siç është rruga “Cvetan Dimov”.

Thotë se Qeveria e kaluar ka ndarë mjete të shumta për projekte të tilla, serioze, përmend shembullin e ndihmës që Qeveria i dha qytetit për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” dhe disa projekte infrastrukturore tjera brenda qytetit.

DANELLA ARSOVSKA

“Është project shumë i rëndësishëm që lehtëson dhe rrit nivelin e sigurisë së qytetarëve të tre komunave të qytetit të Shkupit dhe shpresojmë që të na mirëkuptojë edhe Qeveria po edhe institucionet që në të kaluarën e dimë se për projekte të tilla serioze dhe të mëdha kanë ndarë mjete me qëllim që ky aks rrugorë si project të realizohet.”

Se a është e gatshme Qeveria ta ndihmojë Qytetin e Shkupit, Klan Maqedoni e pyeti zëvendëskryeministrin, Izet Mexhiti, i cili tha se Arsovskës i mungon vullneti për të realizuar këtë projekt.

Gjithashtu kërkoi nga e para e Qytetit të Shkupit që t’i kthejë në investime në Çair, tatimin që e mbledh po nga Çairi dhe banorët e kësaj komune.

IZET MEXHITI

“Mendoj që është obligim i Qytetit të Shkupit, sido që të jetë mendoj se nuk ekziston vullneti për ta realizuar nga ajo se përndryshe nëse është vetëm çështja financiare edhe këtë do e mbulojë Qeveria. Po mendoj që nuk e bën as njërën e as tjetrën. “

Kjo nuk është hera e parë që rikonstruimi i Çairçanes vë përball njëra tjetrës institucionet e caktuara. Në të shumtën e rasteve, akuza për mos përfillje në adresë të Arsovskës lidhur po me këtë project ka bërë edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share