Në Klan Debat profesori universitar Gordan Kalajxhiev ka ngritur shqetësime mbi procedurat ligjore që kanë të bëjnë me dyshimet ndaj politikanit Artan Grubit.
Sipas Kalajxhievit, procedura që ka filluar për këtë çështje nuk ka pasur prova konkrete, por ka pasur vetëm dyshime të mbështetura në informacione të shërbimeve sekrete.
Ai theksoi se ligji nuk mund të bazohet vetëm në dyshime dhe se një masë si arrestimi nuk mund të bëhet vetëm për shkak të spekulimeve në media.
“Për të nisur procedurën duhet të kesh njëfarë provash ose asgjë, siç thashë për Grubin. Nuk mundesh dot ta arestosh Grubin në kufi duke u nisur nga fakti që po debatohet në media se është kriminel, nuk mundem! Ai është një njeri i lirë, çfarë është ajo masë, “Ndalo dhe njofto”?!?. Ai është qytetar i lirë, derisa gjykata të caktojë një masë. Nëse ka pasur rast urgjent, po, por nuk ka pasur procedurë gjyqësore”, tha Kalajxhiev.
Kalajxhiev shprehu gjithashtu shqetësime mbi atë që ai e quajti “PR mediatik” të qeverisë, duke vënë në dyshim integritetin e sistemit të drejtësisë. Ai theksoi se një sistem ligjor korrekt duhet të bazohet në prova të plota dhe në respektimin e prezumimit të pafajësisë, dhe jo të ndërmarrë veprime pa ofruar dëshmi konkrete.
Në lidhje me informacionet që kanë ardhur nga SHBA, ku emri i Grubit ka figuruar në “listë të zezë”, Kalajxhiev ka kërkuar që prova të ofrohen publikisht për të mbështetur këto akuzat, duke shtuar se si partnerë strategjikë, duhet të dimë të ndërhyjmë me argumente të forta dhe jo të mbështetemi në spekulime.
“Ne vetëm dëgjuam se kishte prova, por a ka pasur prova do të shohim se prokuroria dhe gjykata a kanë prova. Tani për tani, gjërat po shkojnë më shumë si në nivelin e medias PR të qeverisë, kinse, JA, dorëzojmë dhe arrestojmë dhe jo një sistem korrekt. Një sistem korrekt nuk bën kështu, madje prezumimi i pafajësisë del në plan të parë. Tani kemi një dënim që ka ardhur nga SHBA-ja. Aha, ka ardhur një listë e zezë nga qeveria amerikane dhe ka mbaruar puna. Sikur të kishte ardhur nga zoti. Por nuk na I dhamë provat, ne duhet ti gjejmë provat. Le të na jape provat pse mos t`i jape, çfarë partnerë strategjikë janë ata që dijnë të përzihen dhe nuk na japin provat, mendoj që të mbarohet puna si duhet”, tha Kalajxhiev.
Ai theksoi se procedurat gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të balancuara, duke i dhënë mundësinë Grubit që të mbrohet para gjykatës. Në fund, ai vuri në dukje se kjo është një çështje që kërkon më shumë transparencë dhe respekt ndaj drejtësisë, pasi çdo masë ndaj një individi duhet të bazohet në prova të qarta dhe jo vetëm në dyshime. /tvklan.mk