Asgjësohen mandarinat shqiptare me pesticide – Kroacia i ktheu pas, Kosova po iu kryen testet laboratorike

Mandarinat shqiptare, të kthyera nga Kroacia për shkak të pesticideve të përdorura, janë asgjësuar dhe nuk janë hedhur në tregun vendas për konsum.

Në Divjakë do të groposet ngarkesa me 21 ton, ndërsa do të kontrollohen 6 pika grumbullimi në Fier dhe Berat, së bashku me farmacitë bujqësore për të verifikuar nëse ka raste të tjera me rrezik.

“Në dy prej këtyre rasteve, produkti është kthyer në Shqipëri. Ndërsa në një rast produiktet kanë mbetur në vendin e destinacionit. Për të dy rastet që produkti ka ardhur në Shqipëri, AKU ka njoftuar pikat kuftiare, që kanë kryer bllokimin e këtyre produkteve, me destinacion asgjësimin. Një prej rasteve është asgjësuar nga vetë fermerët, ndërsa rasti tjetër do të bëhet asgjësimi sot nga autoritetet kompetente. Nuk janë subjekte përsëritëse”, tha Martin Jorgaqi, drejtor i menaxhimit të riskut në AKU.

Dy pesticidet e përdorura nga fermerët në mandarina nuk janë pjesë e listës që Shqipëria ka miratuar në tetor të këtij viti për inputet që mund të aplikohen në produkte.

“Kemi bërë të mundur kontrollet në terren dhe jemi në fazën e hetimit të situatës, për të gjetur ku janë marrë këto produkte të mbrojtjes së bimëve. Sipas raport-analizës nga sistemit RASFF kanë qenë me përdorim mbi normën. Ju bëjmë thirrje fermerëve të përdorin produkte të regjistruara, produkte që shiten në farmaci veterinare dhe të ruajtjes së bimëve. Duhet të zbatojnë kohën e karencës”, tha Jorgaqi.

Këto pesticide kanë qenë pjesë e listës në Shqipëri deri në vitin 2022, kohë kur lejohej përdorimi i tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se kontrollet për përdorimin e pesticideve në të zezë do të shtrihen në të gjithë territorin.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share