LSDM ka kërkuar përgjegjësi për rastin Artan Grubi nga Ministri I Brendshëm Pance Toshkovski. Sipas tyre ministri dhe VMRO DPMNE-janë përgjegjës për arratisjen e Artan Grubit. Opozita njofton se sot do të publikojë pista serioze për përfshirjen e MPB-së dhe Toshkovskit në arratisjen e Grubit si dhe momente të reja siç thonë nga kjo parti pët përfshirjen e MPB-së në këtë rast.
“A do të marrë më në fund ministri i Punëve të Brendshme Toshkovski përgjegjësinë për funksionimin katastrofik të MPB-së dhe arratisjen e Grubit? Informacionet e fundit për arratisjen e ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, ku nuk funksionuan “bateritë” e kamerave pikërisht kur ai po dilte nga kufiri paraqesin tallje për qytetarët. Deri kur do të mashtrojë ministri publikun dhe kur ka në plan të pranojë se kjo ishte një arratisje e organizuar?” ” – thonë nga LSDM.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE I bëjnë thirrje Grubit që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë dhe të dëshmojë atë që pati thënë më herët se është I pastër si loti. Nga VMRO akuzojnë BDI për vlera anti evropiane.
“Rrëfimet e BDI-së se si i qëndrojnë vlerave evropiane, sundimit të ligjit dhe drejtësisë ranë në ujë. Artan Grubi I dha nokaut rejtingut edhe ashtu të dobët të BDI-së. Prova më e madhe e aktiviteteve kriminale të Grubit është futja e tij në listën e zezë në Shtetet e Bashkuara. Grubi deklaroi se është i pastër si loti, por ka ikur në Kosovë dhe po mundohet të bëjë pazare me drejtësinë. Ali Ahmeti, BDI dhe LSDM heshtin për arratisjen e Artan Grubit” – thonë nga VMRO.
Nga BDI thonë se deklaratat e VMRO-DPMNE-së për “rënie të popullaritetit” të BDI-së nuk janë asgjë tjetër veçse një projeksion i pasigurive të tyre.
“Po të ishin të sinqertë së paku një herë të vetme, do të pranonin tronditjen që përjetuan këto ditë kur panë sondazhet e tyre të brendshme, të cilat qartazi tregojnë se partnerët e tyre të inxhinieruar shqiptarë janë zhdukur nga harta politike. Ky është realiteti: sa më shumë të shtypni një popull, aq më shumë rritet qëndrueshmëria dhe rezistenca e tij. I bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre të reflektojnë mbi retorikën dhe veprimet e tyre përçarëse” – thonë nga BDI
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, MPB-ja gjatë ditës së djeshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubi dhe ish-drejtorin e “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami. Ata së bashku me katër persona të tjerë, dyshohen për përvetësim të mbi tetë milionë euro fonde buxhetore në Lotarinë Shtetërore. Paraprakisht, Gjykata Penale në Shkup u kishte shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, i cili do të fillojë të zbatohet pas gjetjes dhe heqjes së lirisë. /tvklan.mk