Kurti: Regjistrimi i popullsisë, pasqyrim i realitetit të vendit tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se regjistrimi i popullsisë është tejet i rëndësishëm, pasi sipas tij, ajo është pasqyrë e realitetit të vendit.

Kurti shton se me regjistrimin e popullsisë ndikojnë në aspektet e planifikimit dhe zhvillimit kombëtar, planifikimin me saktësi në fushat jetësore, si shëndetësia dhe arsimi, transporti e infrastruktura si dhe të formulohet një strategji e qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social, duke siguruar se investimet të jenë efikase dhe të sjellin dobi afatgjata, njofton Klankosova.tv.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, pasi do të prezantohen rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, e që është realizuar përgjatë shtatë javëve, nga 5 prilli deri më 24 maj, sivjet. Publikimi në një kohë krejtësisht rekorde, kur është fjala për regjistrime përbën një komponent shtesë, pasi që statistikat cilësore marrin kohë, e statistikat në kohë janë me vlerë shumë të madhe. Regjistrimi i popullsisë është më shumë se mbledhje e statistikave, ajo është një pasqyrë e qartë e realitetit tonë, kush jemi? Ku jemi? Sa jemi? Si jemi? Dhe si mund të ecim përpara?”, tha Kurti.

“Të dhënat e regjistrimit janë thelbësore për të gjitha aspektet e planifikimit dhe zhvillimit kombëtar. Ato na mundësojnë të kuptojmë dinamikat demografike, kushtet ekonomike dhe sociale si dhe sfidat që i kemi përpara. Të dhënat na ndihmojnë të planifikojmë me saktësi në fushat jetësore, si shëndetësia dhe arsimi, transporti e infrastruktura. Ato përfaqësojnë bazën për të hartuar politika të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve të Kosovës. Me këto të dhëna ne mund të formulojmë strategji të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social, duke siguruar se investimet tona të jenë efikase dhe të sjellin dobi afatgjata”.

I pasi i Qeverisë shton se regjistrimi i popullsisë jep mjetet që merren masa paraprake për t’i minimizuar rreziqet, duke përmendur migracionin.

“Regjistrimi na jep mjetet për të bërë parashikimet shumë më të sakta mbi rritjen e popullsisë, migracionin dhe sfidat që lidhen me sfidat demografike. Këto parashikime janë të nevojshme për të marr masa paraprake, dhe për t’i minimizuar rreziqet”, u shpreh Kurti.

Sa i përket regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, Kurti thotë se kjo është kohë e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e kujtimeve historike.

“Regjistrimi i fundit u krye në vitin 2011, mjaftueshëm kohë për t’u bërë pjesë e kujtimeve historike. Por tani falë standardeve të avancuara të teknologjisë, kemi një pasqyrë të saktë të realitetit tonë dhe një bazë të re për të zhvilluar dhe ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët”, tha shefi i ekzekutivit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share