Dy vajza shqiptare triumfojnë në garat CrossFit

Dy vajza shqiptare pushtuan skenën e ndërkombëtare të CrossFit me arritjet që patën në eventin e mbajtur në Milano. Siria Meha dhe Joana Skendaj zunë vendin e parë dhe të dytë në Fall Series Thoëdoën, që u mbajt për herë të parë në Itali pas 12 vjetësh. Eventi madhor kishte mbajtur fazën finale në mbarë Europën.

Atletë nga 12 shtete europiane morën pjesë në këtë fazë. 719 sportistë garonin individualisht, ndërsa 130 në ekip. Eventi u mbajt në 3 ditë. Dy ditët e para atletët grumbulluan pikë dhe më të mirët në finale matën forcën në ushtrime sfilitëse dhe tejet sfiduese.

“Kam bërë disa gara këtë vjeshtë. Në stërvitjen time isha përqendruar më shumë tek forca. Ndoshta kjo më uli pak shpejtësinë, por po eci mirë dhe në drejtimin e duhur. Tashmë më duhet pak pushim për t’u përgatitur për garat e sezonit të ardhshëm”, thotë Siria Meha.

CrossFit është një regjim fitnesi i themeluar 24 vite më parë në Kaliforni. Në të bashkohen ushtrimet fizike nën intensitet të lartë, peshëngritje, gjimnastikë dhe disiplina të tjera. CrossFit praktikohet nga miliona njerëz në më shumë se 150 shtete.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share