Standardet e dyfishta, nga e thëna në të bërë, kurrë nuk e kanë bërë Mickoskin lider të vërtetë – thonë nga BDI-ja
Sipas integristëve, nëse Mickoski, dëshiron të dëshmojë se nuk ka agjendë anti-shqiptare dhe nuk është kundër gjuhës shqipe, duhet ta tërheq nismën e partisë së tij – VMRO-DPMNE në Gjykatën Kushtetuese, por edhe të ndalojë, sic thonë, instrumentalizimin dhe presionin mbi Gjykatën Kushtetuese për të vazhduar procesin e rinovimit të Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë unilaterale.
BDI
Gjesti i tërheqjes së kësaj iniciative dhe ndalimi i presionit ndaj institucioneve do të ishte një dëshmi konkrete që kryeministri nuk përdor deklarata boshe për të mbuluar veprime që shkojnë kundër barazisë dhe integrimit. BDI i bën thirrje kryeministrit që t’i japë fund hipokrizisë dhe të tregojë me vepra se është për barazinë e të gjitha komuniteteve. Çdo sjellje ndryshe do të konsiderohet si vazhdimësi e politikave që thellojnë ndasitë dhe dëmtojnë kohezionin ndëretnik.
Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetor anuloi seancën për gjuhën shqipe dhe vendosi të thërras ekspertë që të dëgjohen mendime të ndryshme lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kurse më pas të merret një vendim.
BDI e cila kishte aktivizuar nismën “Roja e Gjuhës” para Gjykatës Kushtetuese u shpreh e pakënaqur nga ky vendim duke vlerësuar se me këtë vazhdohet procesi për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Lideri I BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një deklarate më 11 dhjetor potencoi se e mira e gjithë kësaj do të ishte që Gjykata Kushtetuese t`i hedh poshtë të 13-të nismat e dorëzuara ku kontestohet gjuha shqipe. /tvklan.mk