Kurti ftohet nga Prokuroria Speciale

Kryeministri Albin Kurti ka marrë sot ftesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

 

Kryeziu ka deklaruar se Kurtit i ka ardhur ftesa teksa po mbahej mbledhja e Kryesisë së VV-së, mbledhje në të cilën po zyrtarizohet lista e kandidatëve për deputetë.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu.

 

Vepra penale për të cilën Kurti është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria Speciale, ka të bëjë me nenin 214 të Kodit Penal.

Ky nen hyn në kuadër të veprave penale të korrupsionit, më konkretisht ka të bëjë me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

 

Pra, kryeministri Kurti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Megjithatë, ende nuk dihet se për cilin rast konkretisht

Ftesa është për më 16 dhjetor, ora 09:30, në objektin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ia ka sqaruar Kurtit se nëse refuzon ftesën, mund të gjobitet me 250 euro.

Kryeziu ka shtuar se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në zgjedhjet e vitit 2025.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share