Shumë aktivist dhe zyrtarë të Frontit Europian mëngjesi sot i zbardhi nën tendën e vendosur përballë Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur Gjuhën Shqipe nga zhbërja pas iniciativave që ka marrë Gjykata e lartëpërmendur.
Ish zëvendëskryeministri, Artan Grubi, që ishte sot pjesë e kësaj proteste, thotë se Gjykata Kushtetuese punon me standarde të dyfishta sepse sipas tij, iniciativa të njëjta kishte edhe për Marrëveshjen e Prespës, por të njëjtat thotë se Gjykata Kushtetuese nuk i pranoi.
Komentoi edhe deklaratat e qeveritarëve, të cilët thonë se me 11 dhjetor nuk pritet asnjë vendim i rëndësishëm nga kjo Gjykatë.
“Nuk e di se nga mund ta dijnë eksponentët Qeveritarë se si do të vendosin gjykatësit kushteutes, kanë kontaktuar, a i kanë takuar, a kanë ndikuar, këtë nuk mund ta dijë, por nuk është punë e politikës që të dirigjon veprimet e gjykatave në njërën mënyrë ose në tjetrën mënyrë” – deklaroi Grubi.
Për vendosjen e tendave tek Gjykata Kushtetuese nga ana Frontit Europian folën edhe nga VLEN.
Saranda Imeri nga koalicioni Qeverisës tha se me këtë veprim Fronti Europian dëshiron destabilizimin e vendint.
“Retorikën përçarëse të opozitës e cila kinse në emër të mbrojtjes së gjuhës shqipe mundohet të manipulojë opinionin publik madje edhe me skenare të kopjuara nga Nikolla Gruevski të para 8 viteve me tenda para KSHZ-së. Shqiptarët le të rijnë të qetë Gjuha Shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për tu paraqitur në mënyrë të rreme se shpëtimtare të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë” – tha Saranda Imeri, VLEN.
E kishte edhe kundër përgjigje nga Fronti Europian. Artan Grubi thotë se BDI-ja po as Fronti Europian nuk e kanë në agjendë destabilizimin, të cilin në çdo moment e përmendin Qeveritarët.
“Destabilizim është fjalë të cilin e përdorë vetëm Qeveria dhe eksponentët qeveritarë, nuk është në agjendën as të BDI-së, e as të Frontit Europian dhe nuk është përmendur as si fjalë as si iniciativë në asnjë nga takimet tona dhe në asnjë nga iniciativat tona” – tha Grubi.
Ndryshe, kur jemi tek diskutimet se cili subjekt po e mbron gjuhën shqipe, derisa BDI-ja dhe Fronti po protestojnë, mbledhje të kryesisë dhe me ministrat e deputetët ka mbajtur koalicioni VLEN, nga ku thonë se përmes rrugës institucionale angazhohen në mbrojtje të gjuhës shqipe. /tvklan.mk/