Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, lideri i PD-së, Sali Berisha u pyet nëse do të ishte ai kandidati i partisë së tij për kryeministër në zgjedhjet e majit.
Lideri i opozitës nuk e mohoi këtë, duke thënë se rikthimi i tij i tretë do të ishte eksperienca më pozitive, minus gabimet e bëra.
“Së pari, se kush do jetë kryeministri, do e përcaktojnë shqiptarët. Por do u them qytetarëve, rikthimi i tretë i Sali Berishës do të jetë më i suksesshmi. Do të jetë eksperienca më pozitive, minus gabimet e bëra. Imagjinojeni ju vetë. Do jenë shqiptarët ata që përcaktojnë kryeministrin e tyre të ardhshëm. Dhe do u paraqes atyre një program me të cilin dua t’i shoh njerëzit më mirë të paguarit në rajon. Një shpërndarje ku të gëzojnë sa më shumë shqiptarë nga pasuritë publike dhe nga fondet publike.
Rikujtoj këtu, secilin që na ndjek, në rast se merrni një studim shumë serioz të grupit të mirënjohur të Bostonit, në analizën e bërë të shpërndarjes së të ardhurave në të gjitha vendeve, Shqipëria renditet në vendin e katërt në botë. Kur e kam parë, u gëzova, por nuk e mendoja që mund të arrinim në atë pozicion”, tha ndër të tjera Berisha, raporton Tch.