INCIDENTET E 28 NËNTORIT
Pas përfundimit të procedures Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar aktakuzë në gjykatën kompetente kundër gjithsej katër personave të cilët në ngjarje të ndryshme në ditët e kaluara kanë kryer veprime që përmbajnë elemente të veprës penale – Shkaktim i urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës mbi baza nacionale, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese nga neni 319 paragrafi 1 i Kodit Penal.
Për katër persona ndaj të cilëve u ishte caktuar masa e paraburgimit në procedurën paraprake, prokurorët publik kërkuan nga Gjykata Themelore Penale Shkup që t’ua vazhdohet paraburgimi.
“Tre nga të pandehurit më 28 Nëntor, me rastin e festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, duke djegur dhe grisur flamurin kombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkaktuan ndjenjën e urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës në bazë etnike dhe ekspozuan tallje me simbolin kombëtar. I pandehuri i katërt, pak ditë më vonë, më 2 dhjetor, ka dëmtuar flamurin e një shteti tjetër – Republikës së Shqipërisë – duke e djegur atë, gjë që ka shkaktuar urrejtje dhe intolerancë”, thonë nga Prokuroria.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se veprimet e tyre shkaktuan gjuhë të urrejtjes, e cila u shfaq veçanërisht në rrjetet sociale në ditët kritike, dhe me tendencë të shndërrohej në incidente të reja dhune. Kujtojmë se për incidentet me kremtimin e 28 nëntorit në pyetje u morrën 18 persona nga të cilët katër janë në paraburgim, ndërsa ndaj dhjetëra personave ka nisur procedimi penal për shkak kaosit në rrugë dhe në komunikacion. /tvklan.mk/