Vendet anëtare të BE-së nuk kanë arritur marrëveshje për hapjen e kapitullit 3 në negociatat me Serbinë, ka raportuar mediumi publik serb RTS nga burime diplomatike në Bruksel.
“Edhe takimi i tretë në nivel ambasadori për këtë temë nuk solli konsensusin e nevojshëm. Hungaria si presidente e BE-së njofton se debati për këtë çështje do të vazhdojë javën e ardhshme. Koha për marrëveshje po mbaron, sepse konferenca ndërqeveritare për hapjen e kapitullit, nëse ka, duhet të mbahet në javën ndërmjet 16 dhe 20 dhjetor”, ka raportuar RTS.
Sipas burimeve diplomatike, qëndrimet e vendeve anëtare nuk kanë ndryshuar dukshëm në krahasim me debatin e kaluar.
Në takimin e fundit, shtatë vende, mes tyre vendet baltike dhe skandinave, Holanda dhe Kroacia, hodhën poshtë propozimin e Presidencës hungareze për fillimin e procedurës për hapjen e grupit 3.
Si arsye kryesore për refuzimin, shtetet anëtare vunë në pah mospërputhjen e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet kundër Rusisë, orientimin e paqartë gjeopolitik të Beogradit, problemet në sundimin e ligjit, si dhe në marrëdhëniet me Kosovën.
Vendet që mbështesin hapjen e kapitullit deklarojnë se duhet të pranojnë vlerësimin e Komisionit Europian sipas të cilit Serbia ka përmbushur kriteret teknike.
Ata theksojnë se kjo do të dërgonte një sinjal pozitiv në rajon dhe do ta afronte Serbinë me Bashkimin Europian. Disa prej tyre paralajmëruan se nuk do të mund të pranojnë hapa për vendet e tjera nëse nuk arrihet një marrëveshje për Serbinë, sipas RTS-së.
Serbia e hodhi hapin e fundit në negociata në dhjetor 2021./Express/