Zëvendëskryeministri Arben Fetai nga VLEN ka reaguar pas informacionit se në një nga shkollat e Çellopekut, Dita e Flamurit – 28 Nëntori është shënuar me shfaqje, ku nxënësit janë paraqitur me armë dhe me uniformë të UÇK-së.
Fetai thotë se Komitët janë pjesë e rëndësishme e vetëdijes kombëtare maqedonase, ndërsa UÇK-ja vlera më sublime e popullit shqiptar.
Reagimi i plotë:
“Shfaqjet me fëmijë të uniformuar dhe të armatosur janë të gabuara, pavarësisht përkatësisë apo historiografisë. Komitët, padyshim, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vetëdijes kombëtare maqedonase. Ndërkohë, UÇK-ja mbetet vlera më sublime e popullit shqiptar. UÇK-ja përfaqëson sakrificën për barazi, drejtësi dhe dinjitet. Për shqiptarët, UÇK-ja është simbol i përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar do të jetë i barabartë dhe i respektuar”, shkroi Fetai.