DASH: Dënojmë sulmin në veri të Kosovës, ofrojmë mbështetje për ndëshkimin e përgjegjësve

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për sulmin terrorist të 29 tetorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, shkruan Reporteri.net.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se dënon sulmin ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke ofruar mbështetje për t’i ndëshkuar përgjegjësit.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se do t’i vlerësojnë mbështetësit për tejkalimin e kësaj situate.

“Dënojmë sulmin e 29 nëntorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do t’i mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit si dhe do t’i vlerësojmë ofertat e mbështetjes në këtë përpjekje”, ka shkruar Miller, derisa ka përmendur KFOR-in dhe kontribuuesit e tjerë që ndihmuan në rivendosjen e furnizimit me ujë.

Kujtojmë se Policia e Kosovës edhe sot ka zhvilluar kontrolle në kanalin e Ibër-Lepencin në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka thënë për Reporteri.net se gjatë këtyre kontrolleve janë kryer bastisje dhe janë konfiskuar tri pushkë gjuetie.

Sipas tij, nuk ka të arrestuar, ndërsa kontrollet janë kryer së bashku me Njësinë Policore K-9.

“Sot kemi pas kontroll të terrenit përgjatë kanalit në Varagë, po ashtu edhe bastisje. Kemi konfiskuar 3 pushkë gjuetie por nuk kemi të ndaluar apo të arrestuar. Kontrolli i terrenit është kryer me njësinë policore K-9, e po ashtu edhe me njësitet tjera policore dhe tashmë ka përfunduar”, ka thënë Elshani.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë qëndruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë informuar për së afërmi nga ekspertët e fushës në lidhje me gjendjen aktuale në kanalin e Ibër-Lepencit.

Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës po vazhdon me punën e saj në ndriqimin e shpërthimit në Ibër Lepenc.

“Policia po vazhdon punën e saj, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike, nëse dikush mendon se do ta lëmë me kaq, e ka gabim. Institucionet e sigurisë, hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodh, dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë”, ka thënë Sveçla.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share