Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për një ansambël i cili siç tha ai, për “Ditët e Nëntorit” që po mbahet nga 19-30 nëntor në Gjakovë, sjell muzikën tradicionale “saze”.
“Nga Prekazi i kushtrimit për liri në Gjakovën e kuqe të polifonisë së Saz’Iso”, ka shkruar ai.
Kurti tha se është frymëzuese të shohësh si kjo trashëgimi muzikore na bashkon, duke festuar jo vetëm pavarësinë, por siç tha ai, edhe shpirtin e kulturës sonë,
“Ky ansambël unik, i përbërë nga artistë virtuozë të jugut të Shqipërisë, për “Ditët e Nëntorit” që po mbahet nga 19-30 nëntor në Gjakovë, sjell muzikën tradicionale “saze” – një traditë që mishëron gëzimet dhe trishtimet e jetës, duke ruajtur thelbin e identitetit tonë kulturor”.
“Edhe të mërkurën, një ditë para koncertit, ata ndaluan në Çarshinë e Vjetër, duke e mbushur qytetin me tingujt e tyre spontanë dhe duke ngjallur emocion te çdo kalimtar. Kjo muzikë e veçantë ka fituar vëmendje ndërkombëtare falë producentit legjendar Joe Boyd, i njohur për punën e tij me Pink Floyd dhe Nick Drake, duke lidhur kështu tingujt tanë tradicionalë me një publik global”.
“Në këtë 28 Nëntor, është frymëzuese të shohësh si kjo trashëgimi muzikore na bashkon, duke festuar jo vetëm pavarësinë, por edhe shpirtin e kulturës sonë që mbetet i gjallë dhe i fuqishëm në çdo interpretim”, ka shkruar tutje Kurti në Facebook.