Kina dënon gazetarin me 7 vite burg për spiunazh

Një ish-gazetar i medias shtetërore të Kinës është dënuar me 7 vite burg nga autoritetet e vendit të tij për akuzën e spiunazhit.

62-vjeçari Dong Yoyu, i cili është i arrestuar që prej vitit 2022, ishte aktiv në qarqe diplomatike dhe gazetareske në SHBA e Japoni, si dhe takohej rregullisht me diplomatë të huaj.

Në momentin që u arrestua nga policia kineze, gazetari ka qenë duke drekuar me një diplomat japonez në Pekin.

Familja e gazetarit ka kundërshtuar dënimin e gjykatës, duke thënë se janë të shokuar nga fakti që autoritetet kineze e konsideruan një ambasadë të huaj si organizatë spiunazhi.

Bëhet fjalë për ambasadën japoneze në Kinë, dy diplomatë të së cilës u konsideruan nga autoritetet kineze si “agjentë të një organizate spiunazhi”.

Gazetari kinez takohej rregullisht me gazetarë të tjerë dhe diplomatë të huaj si pjesë e punës së tij, thanë familjarët.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe avokatët kanë kritikuar dënimin e 62-vjeçarit dhe kanë kërkuar lirimin e tij. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share