Identitet i ri, Zoom ndryshon emrin e kompanisë

Zoom po zhvesh identitetin si një platformë për videothirrje dhe po shkon drejt Inteligjencës Artificiale (IA).

Ndoshta shumë prej nesh ndiejnë pak nostalgji kur bëhet fjalë për të pasi u bë shumë i famshëm gjatë pandemisë. Por tani Zoom ka vendosur të ndjekë modelin e gjigantëve të tjerë teknologjikë dhe ka ndryshuar emrin.

“Zoom Video Communications” i ka lënë vendin “Zoom Communications” pasi imazhi i kompanisë do të shndërrohet me konceptin e IA.

Ajo që dikur ishte thjesht shërbim video-telefonatash, tashmë është një “kompani e IA që sjell zgjidhje moderne hibride në ambientin e punës duke ndihmuar bashkëpunimin e ngushtë”. Sipas CEO Eric S. Yuan, IA ka ndryshuar ambientin e punës dhe ajo që dikur ishte “mirë për t’u pasur”, tani është “e domosdoshme”.

Sipas tij, ndryshimi është një element kyç që Zoom të ndihmojë klientët për të marrë më të mirën e shërbimit.

Njësoj si Microsoft e kompani të tjera, Zoom përdor IA për të automatizuar detyra si mbajtja e shënimeve gjatë një mbledhjeje. AI Companion mund t’u përgjigjet pyetjeve, madje mund t’i flisni dhe t’i kërkoni të zbatojë kërkesa të ndryshme.

AI Companion 2.0 mund të marrë informacion nga interneti dhe të zbulojë më shumë për personin me të cilin po kontaktoni. “Binjaku dixhital” ju ndihmon t’u përgjigjeni mesazheve, përmbledh pika që mund t’ju kenë shpëtuar gjatë mbledhjes dhe ju jep përgjigje të zgjeruara për përmbajtjen e bisedës.

Zoom ka përdorur modele të IA nga gjigantë si OpenAI, Anthropic dhe Meta, por e ka trajnuar duke dëgjuar mijëra mbledhje. Kjo tingëllon e frikshme, por thuhet se ka dëgjuar vetëm mbledhjet midis punonjësve të kompanisë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share