Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria mori vendim për ndarjen e 20 milionë eurove për financimin e projektit për sheshin “Skënderbeu”.
Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, njoftoi se me këto mjete do të destinohen për ndërtimin e parkimit nëntokësor, punimet e të cilit priten të fillojnë në vitin 2025, ndërsa parashikohen 371 vende për parkim në dy nivele nëntokësore.
IZET MEXHITI – ZV.KRYEMINISTËR
“Më lejoni, si Zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kënaqësi të madhe t’ju informoj për vendimin e rëndësishëm që morëm në seancën e sotme të Qeverisë. Qeveria ka vendosur të ndajë 20 milionë euro për financimin e projektit për ndërtimin e një garazhi nëntokësor shumëkatësh pranë Sheshit Skënderbeu në Shkup. Ky projekt shumëvjeçar parashikon ndërtimin e 371 vendeve të reja për parkim, të shpërndara në dy nivele nëntokësore me një sipërfaqe totale prej më shumë se 13,000 metra katrorë. Gjithashtu, do të sigurohet një numër i përshtatshëm vendesh parkimi për personat me nevoja të veçanta. Me këtë investim, ne tregojmë përkushtimin tonë për të zgjidhur sfidat infrastrukturore me të cilat përballet kryeqyteti ynë, Çarshia e Vjetër e Shkupit, Komuna e Çairit dhe Qendra,” ka thënë Mexhiti.
Sipas Mexhitit, ndërtimi i garazhit nëntokësor ka rëndësi të madhe për Çarshinë e Vjetër dhe për Komunën e Çairit. Ai shtoi se problemi shumëvjeçar i mungesës së vendeve të parkimit në këtë pjesë të qytetit do të zgjidhet përfundimisht, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut dhe duke mundësuar një qasje më të lehtë për banorët dhe vizitorët. /tvklan.mk