Grupi luftëtar Hezbollah i Libanit ka qëlluar me raketa të rënda në drejtim të Izraelit të dielën, ndërsa mediat izraelite raportuan se një ndërtesë ishte goditur afër Tel Avivit.
Kjo pas një sulmi ajror të fuqishëm izraelit që vrau të paktën 29 persona në Bejrut të shtunën.
Izraeli ka goditur gjithashtu zonat e kontrolluara nga Hezbollah në periferi të jugut të Bejrutit, ku bombardimet e intensifikuara gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur në një periudhë kur po bëheshin përpjekje për një armëpushim të udhëhequra nga ShBA-ja.
Hezbollahi, i cili ka kërcënuar më herët të hakmerret ndaj sulmeve në Bejrut duke goditur Tel Avivin, tha se ka lëshuar raketa të sakta drejt dy objekteve ushtarake në Tel Aviv dhe në zonat përreth.
Policia tha se pati disa vende goditjeje në rajonin e Petah Tikvah, në lindje të Tel Avivit, dhe se disa persona kishin marrë lëndime të lehta, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Pamjet televizive treguan një apartament të dëmtuar nga zjarri i raketave në Petah Tikvah, ndërsa videoja nga shërbimi mjekësor MDA tregonin makina të djegura.
Ushtarët izraelitë (IDF) thanë se Hezbollahu ka lëshuar 170 raketa ndaj Izraelit të dielën, shumica e të cilave janë interceptuar. Të paktën katër persona u plagosën nga shpërthimet.