COP29, 300 mld dollarë për kombet më të varfra

Negociatorët në bisedimet e Kombeve të Bashkuara për klimën ranë dakord për një fond prej 300 miliardë dollarësh për të ndihmuar vendet në zhvillim të përshtaten me ndryshimet klimatike. Shumë vende më të varfra e kanë hedhur poshtë marrëveshjen si një fond të pamjaftueshëm. Marrëveshja erdhi pasi bisedimet COP29 përfunduan në Baku.

“Njerëzit dyshuan se Azerbajxhani mund të arrinte një marrëveshje. Kjo ishte detyra më e vështirë që procesi shumëpalësh klimatik ka provuar ndonjëherë. Ne ju bëmë thirrje që të mendoni për njëri-tjetrin dhe insistuam që të mendoni për të ardhmen e përbashkët.”

Vendet më të pasura ranë dakord të paguajnë të paktën 300 miliardë dollarë në vit deri në 2035-ën për të ndihmuar vendet më të varfra që t’i bëjnë ekonomitë e tyre më miqësore me mjedisin dhe të përgatiten për fatkeqësitë natyrore.

“Shuma që propozohet është jashtëzakonisht e vogël. Ky dokument është pak më shumë se një iluzion optik. Kjo, sipas mendimit tonë, nuk do të trajtojë sfidën e madhe me të cilën përballemi të gjithë”, thanë në një deklaratë vendet e varfra.

Delegacionet nga shtetet e vogla ishullore dhe vendet më pak të zhvilluara u larguan nga negociatat për paketën e financimit, duke thënë se interesat e tyre të financimit të klimës po injoroheshin. “Marrëveshja aktuale është e papranueshme për ne. Ne duhet të flasim me vendet e tjera në zhvillim dhe të vendosim se çfarë të bëjmë,” tha Evans Njewa, kryetar i grupit të vendeve më pak të zhvilluara (LDC).

Me tensione të larta, aktivistët e klimës kritikuan gjithashtu të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për klimën, John Podesta, ndërsa ai u largua nga takimi. Ata akuzuan SHBA-në se nuk paguan pjesën e saj. Paratë e premtuara pritet të vijnë nga grantet e qeverisë dhe sektori privat, bankat e bizneset që duhet të ndihmojnë vendet të largohen nga energjia e karburanteve fosile në përdorimin e energjisë së rinovueshme.

Përveç marrëveshjes prej 300 miliardë dollarësh kombet ranë dakord që 1.3 trilion dollarë nevojiten deri në vitin 2035 për të ndihmuar gjithashtu në parandalimin e ndryshimeve klimatike. Marrëveshja gjithashtu shtron bazat për samitin e klimës të vitit të ardhshëm, që do të mbahet në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil, ku vendet duhet të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë në dekadën e ardhshme.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share