Kthesë në seancën e sotme gjyqësore për vrasjet e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski. Njëri nga të akuzuarit, Vlatko Keshishev, ka dorëzuar një deklaratë ku pohon se I akuzuari i parë, Lupço Palevski – Pallço, s`ka asnjë lidhje me rastin.
Sipas deklaratës, as më 22 nëntor e as më 27 nëntor, kur kanë ndodhur rrëmbimet dhe vrasjet, Palevski nuk ka qenë me të akuzuarit tjerë, por ka fjetur në shtabin e partisë “Desna”.
Keshishevi thotë se ka gabuar që e ka dëgjuar njërin nga të akuzuarit, Velibor Manevin dhe ka thënë të pavërteta gjatë marrjes në pyetje. Sipas tij, vetam ai, Bore Videvski dhe Manev kanë qenë bashkë në vendngjarjet në Veles dhe Shkup.
Sipas Keshishevit, Manevi ka qenë ai që ka bërë presion dhe është kërcënuar që policisë t`i thotë se Palevski është organizatori dhe ekzkekutori i vrasjeve.
Deklarata e shkruar me dorë nga Keshishevi, të hënën është dorëzuar në Gjykatë, pa dijeninë e avokatit të tij. Sipas avokatëve, deklarata është dërguar përmes burgut.