Ish-mesfushori i Interit, Fredy Guarin, ka folur për betejat e tij me alkoolizmin në një intervistë të fundit, teksa ka zbuluar se ka tentuar edhe vetëvrasjen.
Kolumbiani tani është 38 vjeç dhe njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli në verën e vitit 2021.
Koha e tij në Serie A ishte në Inter nga 2012 deri në 2016, ku luajti 141 ndeshje konkurruese, duke shënuar 22 gola dhe duke dhënë 38 asistime.
Megjithatë, Guarin ka zbuluar se fundmi se ai asnjëherë nuk ka bërë një jetë prej sportisti dhe gjithmonë ka qenë i ekspozuar ndaj alkoolit, derisa ishte afër të bënte edhe vetëvrasje.
“Fillova të bëja emër në Itali dhe tashmë kisha probleme jashtë fushës. Në fillim ia dola mirë: dehesha dy ditë para ndeshjes, pastaj dilja në fushë, shënoja një ose dy gola dhe skuadra fitonte. Mendoj se më mungonte vetëdija”, ka thënë fillimisht Guarin për kohën e tij në Inter.
“Kam pirë në shtëpi, në klub, në restorant, tashmë kisha familjen time dhe kjo ishte m** sepse e dija që po bëja gabime, si në punë, ashtu edhe me përgjegjësitë familjare”.
“Dështova në të gjitha objektivat, futbollistike dhe personale. Isha plotësisht i humbur nga alkooli dhe ata më thanë përmes agjentit tim se nuk mund të qëndroja më në Milano”.
Ai shpjegoi se si pandemia Covid-19 i bëri gjërat shumë më keq për të.
“Gjashtë muajt e parë u ndjeva si njeriu më i lumtur në botë, më pas erdhi Covid-19, ndarja nga gruaja ime dhe pija nga 50, 60 apo 70 birra në një natë”.
“Erdhi pandemia, nuk kishte asnjë stërvitje, asnjë grup, nuk kishte futboll. Shkova në favela [lagje], flija me ndonjë vajzë pa mbrojtje, e braktisa plotësisht veten. Kërkoja rrezikun, adrenalinën, doja të shihja armë dhe asgjë nuk më shqetësonte. Kam kaluar 10 ditë krejtësisht i dehur”.
“Unë jetoja në katin e 17-të dhe nuk kisha asnjë lidhje me jetën. Reagimi im ishte të hidhja veten nga dritarja. Kishte një rrjetë, u hodha dhe më ktheu, por nuk kuptova asgjë”.
“Nuk e kuptova se çfarë po bëja, nuk e di se çfarë ndodhi. Arrita në pikën ku asgjë nuk më interesonte dhe nuk më interesonte të lëndoja veten”, përfundoi ish-mesfushori njohur.