Kryeqyteti feston 80-vjetorin e Çlirimit, Veliaj: Tirana dhe Shqipëria janë sot më të forta se kurrë

Tirana përkujton sot 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në ceremoninë e nderimit pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur morën pjesë një numër i madh personalitetesh, përfaqësues të qeverisë, veteranë të LANÇ-it dhe qytetarë të shumtë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë për ta mbrojtur lirinë, teksa sot kryeqyteti jeton ditët e veta më të mira.

“80 vjet më pas, Tirana dhe Shqipëria janë më të forta se kurrë! Para dy vitesh Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Qyteti Europian i Sportit, ndërsa vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Falë atij çlirimi dhe dinjiteti, sot Tirana është më Europiane, më e zhvilluar dhe më e përparuar se kurrë më parë. Sot ne festojmë lirinë, por njëkohësisht reflektojmë për përgjegjësinë tonë si qytetarë, për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi të çmuar. Le të jetë kjo ditë një kujtese e përhershme se sakrifica dhe uniteti janë çelësi për një të ardhme më të ndritur”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ruajtja e së kaluarës nuk është thjesht një detyrim moral, por edhe një akt përgjegjësie për të ardhmen, se trashëgimia jonë kulturore dhe historike është themeli mbi të cilët ndërtojmë identitetin dhe aspiratat tona për të ardhmen.

“Një tjetër luftë vazhdon sot. Lufta ndaj një armiku që nuk ka uniformë dhe as armë, por që ngjitet si një hije e së shkuarës në mendësitë e vjetra dhe zakonet që na mbajnë peng. Sot, barrikadat nuk janë më prej karrocash, karrigesh apo mobiliesh të vjetra, por prej frikës dhe hezitimit për të ndryshuar e për të përqafuar progresin. Fasadat e dëmtuara nuk janë më nëpër rrugë, por në mendjet tona, ku shpesh mbajmë të pandryshuara besimet që i përkasin një kohe tjetër. Si atëherë, kjo është një betejë rrugë më rrugë, ide më ide, mendje më mendje dhe zemër më zemër. Si atëherë, kërkon guxim për të ngritur flamurin e një të ardhmeje më të mirë se sa e sotmja”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se ashtu si partizanët kapërcyen ndasitë për çlirimin e Tiranës, qytetarët sot duhet të ngrihen mbi ndasitë dhe konfliktet e panevojshme, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më moderne dhe më solidare.

“Ashtu si partizanët u ngritën mbi ndasitë e kohës për të çliruar Tiranën, ne sot ngrihemi mbi egoizmin, ndarjet dhe përplasjet e panevojshme për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të fisme, më të hapur, më solidare dhe më moderne. Por, mbi të gjitha, më progresiste dhe më të përparuar. Historia na mëson se çdo çlirim kërkon sakrifica, dhe ndonjëherë ato sakrifica janë të heshtura: të braktisim mendësitë që na mbajnë prapa, të pranojmë të renë dhe të guxojmë të sfidojmë traditat që nuk kanë më vend në të sotmen. Çdo brez ka luftën e tij dhe, ndonëse e jona nuk ka predha dhe mortaja, ajo kërkon të njëjtën forcë shpirtërore dhe të njëjtin idealizëm. Sepse, siç mësoi Tirana atë mëngjes të çlirimit, çdo shkatërrim, sado i madh, mund të jetë fillimi i një jete të re. Kjo vlen si për qytetet ashtu edhe për zemrat dhe mendjet tona. Sepse ‘sakrifica është çmimi që paguajmë për lirinë’”, u shpreh Veliaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali deklaroi se lufta për Tiranën dhe çlirimi i Shqipërisë është një testament historik, një busull morale, për orientimin e shoqërisë shqiptare për të bërë zgjedhjet e duhura në këto kohë sërish dramatike për njerëzimin.

“Antifashizmi është një nga vlerat më të mëdha të qytetetërimit europian të së shkuarës së afërme dhe një nga garancitë më solemne të së ardhmes. Shqipëria është rreshtuar sot nën anën e duhur të historisë, duke zgjehdur dritën mbi errësirën, të drejtën përpara forcës së egër, lirinë dhe sakrificën, për liri bazuar në vlerat më të mira të njerëzimit. Shqipëria europiane, të cilës i jemi përkushtuar me premtimin se për pak vjet do ta bëjmë anëtare të denjë të Bashkimit Europian, është padyshim pjesë e këtij testament historik me rrënjët në Shqipërinë antifashiste”, deklaroi Spiropali.

Prefekti i Qarkut të Tiranës, Afrim Qendro, kujtoi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje. Ai vlerësoi sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e kryeqytetit dhe rolin e çlirimit si pikë kthese për luftën nacionalçlirimtare. “17 nëntori që na ka mbledhur nuk është një ceremoni e rastësishme, as ngjarje e shënuar nga fati, jemi këtu falë atyre që lumtuan për Tiranën dhe dhanë jetën për këtë qytet. Çlirimi i kryeqytretit përbënte një pikë kthese të Luftës Nacionalçlirimtare të atdheut. Asnjëherë ata nuk patën dyshime se kauza e tyre ishte e drejtë. Ata ishin çlirimtarët, jo pushtuesit, ndaj dolën faqebardhë nga betejat e përgjakshme të këtij qyteti. 80 vite më pas ne jetojmë në paqe. Secili nga ne e ka për detyrë të japë kontributin për vendin, që e ardhmja të jetë më e ndritur se e shkuara”deklaroi Qendro.

Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, e cilësoi çlirimin si një triumf të shpirtit të lirë dhe të idealeve të pavarësisë. Ai theksoi se 17 Nëntori duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të forcuar institucionet demokratike dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur.

“Ky çlirim i fituar me gjak dhe sakrifica nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por një triumf i shpirtit të lirë, i etjes për pavarësi, dinjitet dhe vetëvendosje. Çlirimi i Tiranës na sjell sot reflektimin për një shoqëri ku zëri i çdo qytetari të dëgjohet, një shoqëri që reflekton idealet për të cilat luftuan dhe ranë dëshmorët tanë. Shikimi ynë është sot i drejtuar nga e ardhmja. Duhet të punojmë të gjithë sëbashku me përkushtim dhe vizion, duke forcuar institucionet demokratike. Dialogu, mirëkuptimi dhe respektimi janë elementë thelbësorë për demokracinë”, tha Dalipi./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share