BDI thirrje partive tjera të reflektojnë kundër diskriminimit dhe “pastrimit institucional” ndaj shqiptarëve!

Për BDI-në thirrja për zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk është kërkesë politike, por mundësi demokratike që të gjitha palët t’i konfirmojnë besimin e popullit.nga kjo parti njoftojnë se janë të gatshëm të përballen me votuesit dhe të angazhohen në një proces transparent që reflekton vullnetin e çdo qytetari.

Arsyeja se pse duhet të ketë zgjedhje sipas integristëve janë këto:

BDI

Nëse zgjedhjet parlamentare mbahen njëkohësisht me ato lokale në tetor, atëherë në vitin 2029 do të kemi për herë të parë në histori mbajtjen e tre proceseve zgjedhore (presidenciale, parlamentare dhe lokale) në një ditë të vetme. Kjo do të rezultojë në kursime të mëdha për buxhetin shtetëror dhe një organizim më efikas të procesit zgjedhor.

Katër vite të plota pa ndërprerje zgjedhore – Duke mbajtur zgjedhjet tani, vendi do të ketë një periudhë stabiliteti të plotë deri në vitin 2029, pa shpërqendrime nga fushatat apo proceset zgjedhore.

Gjithashtu nga BDI kanë reagur dhe dënuar siç thonë, fushatën e diskriminimit dhe “pastrimin institucional” ndaj shqiptarëve në administratën shtetërore, policisë, shëndetësisë dhe shërbimeve publike.

Kjo fushatë, sipas BDI, rrezikon parimet e barazisë dhe harmonisë multietnike, të cilat janë themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

“Punonjësit shqiptarë, të cilët kanë dëshmuar lojalitetin e tyre ndaj institucioneve dhe qytetarëve të këtij vendi, po degradohen dhe po largohen në mënyrë të padrejtë nga detyrat e tyre.
Kjo fushatë është një sinjal alarmues për një agjendë më të gjerë, që synon të përmbysë parimet e barazisë dhe harmonisë multietnike, të cilat janë themelet e Marrëveshjes së Ohrit.
Kjo përpjekje e orkestruar nuk është vetëm një fyerje ndaj shqiptarëve – është një sulm ndaj vetë strukturave të shtetit. Degradimi i profesionistëve në polici, në sektorin e shëndetësisë dhe në institucionet e tjera publike dërgon një mesazh të rrezikshëm: se diskriminimi mund të institucionalizohet”, thonë nga BDI. 

BDI kërkon ndërprerjen e këtyre praktikave duke apeluar tek qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e shqiptareve.  Sipas kësaj partie diversiteti është forcë, jo kërcënim, dhe mu për këtë do të mbrojnë dhe ruajtur unitetin dhe stabilitetin e vendit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share