Kroacia po blen armën më të fuqishme në historinë e saj

Komisioni Parlamentar i Mbrojtjes i Kroacisë në seancën e sotme mbështeti njëzëri blerjen e tetë sistemeve raketore HIMARS, me vlerë gati 290 milionë dollarë.

“Me HIMARS-in, Forcat e Armatosura po marrin një aftësi të re që nuk e kishin më parë. Bëhet fjalë për aftësitë e goditjeve të sakta dhe efektive me raketa me rreze të gjatë veprimi”, tha Tihomir Kundid, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

“Padyshim që paraqet një kërcim kuantik në kuadrin e aftësisë së forcave të armatosura kroate në zbatimin e goditjeve me raketa precize dhe me rreze të gjatë, përfaqëson një epokë të re në njësitë e raketave artilerie, si sistem është më precizi dhe më efektivi në krahasim me sistemet e tjera”, vuri në dukje ai, shkruan index.hr.

Ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anushiq shpjegoi se paketa përfshin tetë raketa-hedhës HIMARS dhe 394 raketa, si dhe mallra të tjera, shërbime, trajnime dhe mbështetje logjistike të nevojshme për funksionimin efektiv të sistemit. Sistemi do të dorëzohet në vitin 2028 dhe raketat do të vijnë me të, tha ministri.

HIMARS është një sistem artilerie jashtëzakonisht i lëvizshëm. Sistemi, i zhvilluar në fund të viteve 1990, përfshin një kamion, një sistem kontrolli dhe një raketë. Ai u krijua si një version më modern, më i lehtë dhe më i shkathët i sistemit të raketave të gjurmuara M270 MLRS.

HIMARS mund të ketë një kapsulë të parapërgatitur me gjashtë raketa të drejtuara me kalibër 227 mm. ose një kapsulë të madhe të ngarkuar me raketën taktike ATACMS që ka një rreze veprimi prej 300 kilometrash. Një ekip i vogël prej tre personash mund të heqë kapsulën e përdorur dhe të ngarkojë një të re brenda disa minutash, pa ndihmën e mjeteve të tjera.

Blerja e një sistemi të tillë do të ndryshojë ekuilibrin në rajon, ku askush nuk ka HIMARS. Në Evropë, sipas informacioneve të disponueshme, atë e kanë vetëm Polonia, Rumania dhe Ukraina, ndërsa Italia, Letonia dhe Estonia janë në proces të pajisjes me të.

HIMARS pritet të rrisë ndjeshëm fuqinë zjarrit të ushtrisë tokësore kroate dhe do të jetë një mjet i fuqishëm parandalimi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share