Pas vërejtjeve dhe kritikave të BDI-së dhe Frontit Europian, kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emrime e ka tërhequr nga rendi i ditës pikën në debatin publik për çështjen e Këshillit të Prokurorëve.
Kandidatët që fillimisht kaluan ishin Ardian Demiri nga Struga, për të cilin BDI-ja thotë se ka lidhje të ngushta me LD-në e Mexhitit dhe kandidati tjetër akuzohet se ka bërë përmirësim të dosjes pasi ka përfunduar afati i konkursit për shkak se nuk ka përmbushur kushtin e përvojës së punës.
Akuza për partizim të këshillit në drejtim të shumicës ka lëshuar edhe LSDM-ja. Deputetja Sllavjanka thotë se VMRO-ja dhe shumica parlamentare jo vetëm në këshillin e prokurorëve, por kuadro partiak ofron gjithandej, aty ku kuadrot duhet të jenë të pavarur.
“Përzierja dhe vendosja e kuadrove partiak specifikisht në këto pozicione dhe institucione të rëndësishme dhe kyqe e tregon qëllimin e VMRO-së. është fakti se VMRO-ja thotë se e kemi shumicën, nuk na intereson mendimi i qytetarëve mund të bëjmë çfarë të duam. Kjo është mënyra me të cilën mendon shumica aktuale” – tha Petrovska.
Me akuza për partizim të këshillit të prokurorëve doli edhe opozitarja E Majta, akuzojnë VMRO-DPMNE-në dhe VLEN për vazhdim të rrugës së pushtetit të kaluar.
“Me atë zgjidhje, realisht edhe pse nuk do të duhej, zëvendësojmë një anëtarë të një partie me një anëtarë të partie tjetër, pa dallim. BDi-ja në këtë pjesë nuk ka të drejtë të hidhërohet sepse partizim të të njëjtëve kishte më herët nga ana LSDM-së tani ka nga ana e VMRO-së. Derisa nuk dalim nga rrethi vicioz i tre partive që sillen në qeveri 30 vitet e fundit nuk do të mund të bëjmë de-partizim” – tha Boris Krmov, E Majta.
Pa përgjigje dhe pa informacion dolën nga VMRO-DPMNE-së.
“Nuk kam informacion për një gjë të tillë po sigurisht, përgjigjen e keni në pyetjen tuaj?” – tha Toni Jarevski.
Por, për VLEN-in akuzat e BDI-së nuk qëndrojnë. Sipas deputetit Rijad Shaqiri ky veprim I Frontit Evropian është tendencioz.
“Pika e rendit të ditës apo vendimi i sjellë për këshillin e prokurorëve është në mënyrë tendencioze e tërhequr me një ankesë që është bërë nga anëtari i komisionit nga fronti Europian respektivisht, z.Salih Murat ku konteston përvojën e punës të njërit nga kandidatët që nuk ka të drejtë” – tha Rijad Shaqiri, deputet.
Ndryshe, ishte Fronti Europian dhe BDI-ja ata që alarmuan të parët se VLEN dhe VMRO po tentojnë të partizojnë këshillin e prokurorëve përmes kandidaturave të propozuara nga ASH-ja e Taravarit dhe LD-ja e Mexhitit. BDI-ja akuzoi se kandidat të propozuar nga partitë e shuimicës kanë bërë shkelje ligjore dhe rezikojnë edhe përgjegjësi penale. Sipas BDI-së, Bashkimi Europian ndjek prej së afërmi vendimet e qeverisë dhe kuvendit dhe këto veprime largojnë vendin nga Europa dhe vlerat europiane duke rikthyer tek shteti i kapur. /tvklan.mk/