Në dy shkolla fillore në Koçanë dhe Prilep ekzistojnë dyshime se bëhet segregacioni i nxënësve romë – thotë Ministri pa portfol, Shaban Saliu, në intervistën e së dielës për Radio Evropa e Lirë. Këto dyshime vijnë pasi Gjykata në Strazburg ka konstatuar se dy shkolla fillore, njëra në Manastir dhe tjetra në Shtip, kanë cënuar të drejtën e fëmijëve për jodiskriminim.
Krahas aktvendimit të Gjykatës së Strazburgut, problemet me segregacionin në shkollat e Maqedonisë së Veriut I ka konstatuar edhe Komisioni Evropian. Nxënësit mësojnë në paralele të veçanta, nuk përzihen me fëmijtë e nacionaliteteve tjera.
Ministri pa portfol, Shaban Saliu, thotë se po paraqiten edhe raste të reja shqetësuese, pavarësisht se ka përfunduar lënda në Strazburg për një shkollë nga Manastiri.
“Sot jam njoftuar, madje mendoj se anëtarë të komisionit kanë shkuar në Koçanë, në një shkollë. Ekzistojnë tri paralele, prej të cilave dy janë të përziera dhe njëra vetëm me Romë. Gjithashtu edhe në Prilep ekziston një segregacion I këtillë, që nuk është në rregull. Mendoj se të gjithë duhet të shqetësohemi, vecanërisht institucionet, t`i tejkalojmë këto situata” – tha Shaban Saliu.
Lidhur me përfaqësimin e Romëve në Qeverinë e re, Ministri Saliu thotë se ai është në eshalonin e parë si Ministër I ngarkuar për integrimin e Romëve dhe implementimin e Strategjisë për inkluzion të Romëve 2023 – 2030, në eshalonin e dytë janë dy zëvendës, në të tretin kanë disa drejtorë si dhe këshilltarë në kabinetin e Kryeministrit.
Ai nuk e ka quajtur nepotizëm emërimin e nipit të tij, Kashmir Saliu, si Zv/Drejtor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, I cili më 2017 iu bashkangjit koalicionit LSDM-BDI.
“Absolutisht jo. Për arsye se ne nuk jetojmë në bashkësi të njëjtë. Nuk do të ishte në rregull dhe do të ishte turp për shtetin si dhe diskriminuese, nëse familjarët e mi, jemi shumë, kam katër motra dhe një vëlla, 23 – 24 nipër, prej të cilëve 12 kanë përfunduar fakultete dhe do të ishte jokorrekte dhe e pandershme por edhe diskriminuese që për shkak timin të mos punojnë askund, të rrijnë në shtëpi” – tha Shaban Saliu, ministër pa protofol.
Ndryshe, në Ditën Botërore të Gjuhës Rome – 5 Nëntori, Ministri Saliu, krahas kërkesës që gjuha rome të jetë i detyrueshëm në shkollat ku shumica e nxënësve janë romë, ka potencuar se nevojitet edhe Katedra e Gjuhës Rome në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, qendra të kulturës në Shkup dhe në katër qytete tjera të vendit, 30.000 gramatika, abetare dhe po aq fjalorë të gjuhës rome.