Xhemaili me akuza ndaj Nesimit: Myftininë e Tetovës, Nesimi e ka zhytur në borxhe dhe kaos!

Pas ngritjes së çështjes së tregut dhe tregtarëve, të cilët të enjten shesin produktet e tyre përreth varrezave të qytetit, sot ka reaguar edhe Myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili. Ai ka deklaruar se pjesa e tregut të grave është vakëf, ndërsa rruga nuk është pjesë e tyre. Sipas tij, edhe pse ish-myftiu Qani Nesimi ka mbledhur taksat, ka zhytur myftininë e Tetovës në borxhe kundrejt Komunës, Ndërmarrjes Publike dhe EVN-së.

Ajo që është dëshpëruese dhe që na shqetëson është se taksat mblidhen nga një dokument i nënshkruar nga ish-myftiu i Tetovës dhe profesori universitar Qani Nesimi, duke përdorur një vulë të dalë nga përdorimi dhe të shfuqizuar. Çdo dokument i vulosur është fals. Ky person për momentin e ka zhytur myftininë e Tetovës në borxhe të mëdha, disa prej të cilave janë: deri tani kemi një faturë që ka ardhur te përmbaruesi mbi një milion denarë borxh ndaj Komunës së Tetovës; pastaj kemi ndaj ndërmarrjes, pra NPK-së, mbi 351,000 denarë. Me një anë mbledh tatime, pra taksa, ndërsa nga ana tjetër myftininë e ka futur në borxhe. Një tjetër faturë që ka mbërritur te përmbaruesi, e cila është borxh ndaj EVN-së, është mbi 100,000 denarë; ka edhe një tjetër faturë prej 111,000 denarësh. Përderisa të hyrat kanë qenë cash, ndërsa këto borxhe rëndojnë myftininë e Tetovës, kjo na lë të dyshojmë se ku shkojnë ato para,” tha myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili.

Por nuk përfundoi këtu, Xhemaili tha se çdo ditë i trokasin në derë persona të cilët i kanë dhënë borxh privat Qani Nesimit, por ky i fundit ka deklaruar që të njëjtat do t’i paguajë myftinia. Sipas Xhemailit, bëhet fjalë për dhjetëra mijëra euro.

Tek unë kanë ardhur disa persona që i njoh dhe që janë edhe shokë të mi, të cilët i kanë dhënë borxh ish-myftiut të Tetovës. Ai tani u thotë se do t’i paguajë Selveri kur të vijë. Ata janë shuma të mëdha; një kolegut 30 mijë franga, një kolegut tjetër 10 mijë euro, një tjetri 10 mijë euro, një tjetri 20 mijë euro. Këta janë njerëz që kanë ardhur tek unë pasi jam emëruar, duke pyetur: ‘A do t’i njohësh këto borxhe?’” tha Selver Xhemaili.

Situata bëhet edhe më e rëndë pasi sipas Xhemailit, Nesimi ka lënë edhe borxhe private të cilat tani kërkohen të paguhen nga myftinia, duke e ekspozuar institucionin përballë një krize të thellë financiare dhe morale që kërcënon të destabilizojë imazhin fetar para publikut. Kërkuam prononcim nga ish Myftiu Qani Nesimi por deri në këto momente nuk kemi ndonjë prononcim zyrtar nga ai. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share