Vendvotimet e para mbyllen në orën 18:00 EST (Eastern Time Zone është zona kohore për pjesën lindore të Amerikës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara) të martën në mbrëmje dhe të fundit në orën 01:00 EST, herët të mërkurën.
Në disa gara presidenciale, fituesi është shpallur vonë natën e zgjedhjeve, ose herët në mëngjesin e nesërm, shkruan CNN.
Këtë herë, gara shumë e ngushtë në shumë shtete mund të nënkuptojë që mediat të presin më gjatë përpara se të parashikojnë se kush ka fituar.
Zëvendëspresidentja demokrate Kamala Harris dhe ish-presidenti republikan Donald Trump, kanë luftuar ‘kokë me kokë’ prej javësh.
Fitoret e ngushta mund të nënkuptojnë gjithashtu rinumërime.
Për shembull, në shtetin e Pensilvanisë – një prej shteteve kryesore që konsiderohen si të luhatshme – do të kërkohet një rinumërim nëse ka një diferencë gjysmë përqindjeje midis votave të hedhura për fituesin dhe humbësin. Në vitin 2020, diferenca ishte pak më shumë se 1.1 pikë përqindjeje.
Sfidat ligjore janë gjithashtu të mundshme. Më shumë se 100 padi parazgjedhore janë ngritur tashmë nga republikanët, duke përfshirë sfidat për të drejtën e votuesve dhe menaxhimin e listës së votuesve.
Skenarët e tjerë që mund të shkaktojnë vonesa përfshijnë çdo çrregullim të lidhur me zgjedhjet, veçanërisht në vendet e votimit.
Nga ana tjetër, numërimi i votave është përshpejtuar në disa zona, përfshirë shtetin vendimtar të Michiganit dhe shumë më pak vota do të hidhen me postë sesa në zgjedhjet e fundit, të cilat ishin hedhur gjatë pandemisë Covid./Express/