Grupet e inteligjencës në qeverinë amerikane thonë se kanë vërejtur që Rusia po kryen operacione ndikuese shtesë me qëllim minimin e besimit publik në integritetin e zgjedhjeve në SHBA si dhe për të ushqyer ndarje mes amerikanëve.
“Komuniteti i inteligjencës pret që këto aktivitete do të shtohen gjatë ditës së zgjedhjeve e në javët në vijim dhe se narrativa ndikuese e huaj do të përpiqet të ndikojë në shtetet e pavendosura”, thanë në një deklaratë FBI, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Agjencia e Sigurisë së Kibernetikës dhe Infrastrukturës.
Në deklaratë Rusia përshkruhet si “kërcënimi më aktiv”. Por Moska ka mohuar çdo pretendim për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
“Aktorët e ndikimit rus prodhuan një video që përshkruan në mënyrë të rremë një intervistë nga një individ që pretendon mashtrime zgjedhore në Arizona, qw përfshinte krimin e fletëvotimeve të rreme jashtë shtetit dhe ndryshimin e listave të votuesve për të favorizuar zv/presidenten Kamala Harris”, thuhet në deklaratë./tvklan.al