EUROINTEGRIMET
Ministri i Eurointegrimeve, Orhan Murtezani, shpreh besimin se shumica parlamentare i ka numrat e nevojshëm për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por eviton të japë një përgjigje të prerë mbi deklaratën e mëparshme të tij, që këto ndryshime të realizohen brenda gjashtë muajve, përndryshe do të lëshohej kjo përbërje parlamentare. Ai bëri thirrje për garanci që ndryshimet kushtetuese do të përmbyllin procesin eurointegrues.
Sipas tij, mesazhet nga autoritetet evropiane, përfshirë kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nxisin shpresën për një zgjidhje dhe ai thekson rëndësinë e veprimit konkret në vend të deklaratave.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e konteston nevojën e sjelljes së ndryshimeve kushtetuese. Madje, ne kemi pothuajse shumicë të dyfishtë në parlament dhe procedura mund të fillojë menjëherë për arsye se, si shtet, kemi përvojë të keqe më herët me bllokime të herëpashershme. Ne duhet të jemi të sigurt që ndryshimet kushtetuese nuk do ta hapin vetëm procesin e bisedimeve, por ato edhe do ta mbyllin të njëjtin në momentin që do të kemi ndonjë zgjidhje që siguron Maqedoninë se procesi i bisedimeve një ditë do të përfundojë. Ndryshimet kushtetuese mund të fillojnë menjëherë,” tha Ministri Orhan Murtezani.
Qëndrimi i Orhan Murtezanit, i cili lë pezull premtimin e tij për të lëshuar këtë përbërje qeveritare nëse ndryshimet kushtetuese nuk bëhen brenda gjashtë muajve, tregon paqartësi dhe mungesë angazhimi për të marrë përgjegjësi në rast të dështimit të procesit.
Për më tepër, insistimi i tij për të pritur afatin gjashtëmujor, ndërkohë që procesi po zvarritet, nuk përçon një mesazh të qartë dhe vendimtar, duke e lënë qytetarin të pasigurt për ecurinë e procesit eurointegrues.