“BDI të mësohet në opozitë”, Ahmeti: Këto janë “ilahie” që i dëgjoj çdo ditë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka komentuar edhe porositë e ditëve të fundit nga Qeveria e re që BDI të mësohet në opozitë.

Ahmeti për këto porosi tha se janë “ilahie” që i dëgjon çdo ditë, por shtoi se askush nuk iu përgjigjet kërkesave të BDI-së dhe Frontit Europian për çështje parimore që garantojnë paqe, stabilitet, siguri dhe një të ardhme për vendin.

“Këto janë “ilahie” që i dëgjoj çdo ditë. Por, nuk kam dëgjuar t’ju përgjigjen kërkesave të BDI-së dhe Frontit Evropian për çështje parimore që garantojnë paqe, stabilitet, siguri dhe një të ardhme për vendin. E para, anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian. E dyta, hajde të biem dakord. Të bëjmë vetting për të gjitha institucionet e shtetit: për përfaqësuesit e partive politike, deputetët, ministrat, kryetarët e komunave, prokurorët, gjykatësit. Të bëjmë një skaner për të gjithë këta, sepse gjyqësia është në nivelin më të ulët të besueshmërisë. Të bëjmë gjyqësi të besueshme, kredibile, për qytetarët. Pika e tretë është hapja e hetimeve për të gjitha partitë politike. Së katërti, pse të mos hapen hetime për prejardhjen e pasurisë së të gjithë politikanëve në vend? Hetime mbi privatizimin e viteve 1991-1992. Dy miliardë euro ka qenë kostoja e privatizimit. Ku përfundoi pasuria shoqërore? Dhe e fundit, legjitimiteti. Pse shqiptarët të dalin në zgjedhje kur dikush tjetër zgjedh përfaqësuesit e tyre? Kjo ishte teoria e Sllobodan Millosheviqit: të zgjedhim dhe të mbajmë afër “shqiptarët e ndershëm”. Dhe unë, në kohën e tij e kam luftuar regjimin, nga ku isha “shqiptari i keq”. Sinan Hasani, Rahman Morina ishin “shqiptarët e mirë”. Tani, në vitin 2024, këtu, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, unë sërish jam “shqiptari i keq”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se çdo prekje që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit ka pasoja dhe kthen shtetin vite prapa.

“Çdo grithje, çdo prekje, që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit etnik, ligjit për përdorimin e gjuhëve, ka pasoja të rënda dhe na kthen prapa. Kështu veproi sistemi i kaluar. Në fund të viteve ’50, në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së atëhershme i hoqën shqiptarët nga emërtimin “albanci” dhe i zëvendësuan me “shiptari”. Kjo çështje u rregullua në vitin 1974, nga ku e hoqën“shiptari”, dhe e vendosën “albanci”. Më ‘89, ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë për shqiptarët si element konstituiv. Hiqen nga Kushtetuta shqiptarët dhe të gjitha etnitë tjera, dhe vendi shndërrohet në Republikë vetëm të kombit maqedonas. Ky është gjeneratori i krizës, se u mbetëm në qafë shqiptarëve. Shqiptarëve ua morën të gjitha të drejtat, i burgosën, i shantazhonin. Ky është gjeneratori që shkaktoi krizën, dhe shpërtheu në kryengritje të armatosur, pasi shqiptarëve u erdhi te hunda keqtrajtimi, diskriminimi, nënçmimi, poshtërimi. Kështu si kanë filluar tani t’ua bëjnë këto poshtërime shqiptarëve, nuk është mirë për komunitetin maqedonas, dhe zërin larg duhet ta ngrenë edhe qytetarët maqedonas, për këto tentativa për të na kthyer mbrapa, në…. gërvishtje, nënçmime të komunitetit shqiptar. Duhet të angazhohemi bashkë, krah për krah, të dyja komunitetet më të mëdha, maqedonas dhe shqiptarë, t’i zgjidhim problemet, ta forcojmë ekonominë e shtetit. Hajde le të urdhërojnë të bëjnë vetting. Para tetë vjetësh e kam propozuar, që të hapet vettingu për partitë politike. E kam propozuar si në prokurorinë e atëhershme që u formulua, ashtu edhe te prokurori i Përgjithshëm i Shtetit. Ndonëse prokurorin e kam kushtëzuar që të votojë nëse hap vetting për BDI-në. Le të urdhërojnë”, u shpreh Ahmeti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share