Ministër i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në debatin e parë publik për Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2024-2028, prezantoi vizionin për ndërtimin e një hapësire digjitale të sigurt dhe të besueshme.
Në debatin publik u prezantuan pesë shtyllat kryesore të Strategjisë: ndërtimi i kapaciteteve të forta kombëtare, siguria dhe qëndrueshmëria e subjekteve thelbësore, ndërtimi i një shoqërie rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike, minimizimi i ndikimit të incidenteve, si dhe bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar.
Strategjia parashikon krijimin e një Sektori të ri të Sigurisë Kibernetike brenda Ministrisë, i cili do të ketë disa funksione kyçe – të mbikëqyrë respektimin e standardeve të sigurisë, të krijojë dhe menaxhojë Qendrën Operative të Sigurisë së Qeverisë dhe të koordinojë me Ekipin e Qeverisë për Reagim të Sigurisë Kibernetike me incidentet e sigurisë.
“Për mbrojtjen e të rinjve dhe fëmijëve përmes projektit MK Sejf Net, Qendrës për internet më të sigurt për fëmijët, zhvillojmë mjete bashkëkohore për kontroll prindëror, filtra për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, formojmë qendrën kombëtare e cila çdo ditë 24 orë do ta ndjekë sigurinë e internetit për fëmijët. Shtylla e katërt ka të bëjë me minimizimin e ndikimit të incidenteve. Të dhënat tregojnë se në çdo 11 sekonda ndonjë organizatë në botë, është e rrezikuar nga sulmet kibernetike dhe numri i sulmeve kibernetike çdo vit shënon rritje 10-15% që do të thotë se sulme kibernetike do të kemi edhe në të ardhmen, prandaj duhet të kemi një pikë të përbashkët për denoncimin e incidenteteve”, deklaroi ministri Andonovski.