Izraeli është në një “nivel të lartë gatishmërie” për një përgjigje nga Irani, ka njoftuar një burim ushtarak izraelit.
Por burimi shtoi se ata “ende po vlerësojnë procesin e vendimmarrjes në Iran” për të përcaktuar nëse dhe kur do të ndodhë një hakmarrje.
Sipas burimit, sulmet e fundit izraelite në objektet e prodhimit të raketave iraniane dhe instalimet e mbrojtjes ajrore kanë “krijuar një dilemë për Teheranin” pasi aftësia e tij për të goditur Izraelin dhe për t’u mbrojtur kundër sulmeve të ardhshme izraelite është degraduar, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, kjo deklaratë vjen pasi CNN raportoi se Irani do të kryente një përgjigje “përfundimtare dhe të dhimbshme” ndaj sulmit të fundit të Izraelit, duke cituar një burim të rangut të lartë.
Burimi nuk dha një datë të saktë për sulmin e pritshëm, por tha se “ndoshta do të ndodhë përpara ditës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA”.
Ushtria izraelite goditi objektivat ushtarake në Iran më 25 tetor, si hakmarrje për breshërinë e raketave balistike të nisur nga Teherani muajin e kaluar.
Ishte hera e parë që Izraeli pranoi publikisht goditjen e territorit iranian – duke shënuar një hap drejt një konfrontimi më të drejtpërdrejtë me kundërshtarin e tyre të gjatë.