FALJET E PRESIDENTES
Komisioni për falje mbrëmë dha dorëheqje kolektive, e cila menjëherë u pranua nga Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova. Dorëheqjet vijnë pas reagimeve të ashpra në opinion, që u shkaktuan nga vendimi për falje të disa të dënuarve nga ana e Presidentes më 23 tetor.
Lidhur me dorëheqjen kolektive, përmes Facebookut njoftoi Profesori Gordan Kalajxhiev, duke potencuar se dorëhiqen për parime personale dhe profesionale ku shihen edhe nënshkrimet e Prof.Dr. Metodija Kanevçev, Prof.Dr. Gordan Kalajxhiev, Prof.Dr.Arlinda Kadri Shahinoviq, Dr.Zora Mitiq, Mr.Ana Gjorgjieva Ivanovska dhe Ajten Shaqiri.
Nga Kabineti presidencial kanë njoftuar se Presidentja ka pranuar dorëheqjet dhe se në periudhën e ardhshme do të konsultohet për përbërjen e re të Komisionit, por edhe për dobësitë institucionale dhe ligjore që ekzistojnë në sistemin për amnistimin e personave të dënuar.
Presidentja Siljanovska – Davkova, me rastin e 23 Tetorit, me rekomandim të Komisionit për Falje, amnistoi 10 të dënuar. Vendimi ishte shpallur në “Gazetën Zyrtare” më 22 tetor, kurse disa prej emrave që u gjetën në këtë listë të faljeve shkaktuan reagime të ashpra në opinion.
Në këtë listë u gjetën Ish-Kryetari I Manastirit, Vladimir Taleski, I akuzuari I parë në aferën “Spiuni”, Marjan Efremov, Shenol Maslani nga Haraçina dhe Akif Ravmanovski që sipas mediave lidhet me grupin kriminal “Baron”. /tvklan.mk/