Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një prononcimi për median serbe TV PRVA, ka potencuar se ditëve të kaluara janë paraqitur anketa të rrejshme, ku sipas tyre 43% e qytetarëve janë “pro” anëtarësimit në BE, kurse 42% për BRICS.
“Fatkeqësisht, vendi ynë është bërë vatër e luftës hibride e të gjitha shërbimeve të huaja që marrin pjesë në luftën në Ukrainë. Kemi ndarje të thella në Serbi dhe ashpër do t`i kundërshtoj ndarjet e llojit BE ose BRICS. Nga njëra anë e duam Rusinë dhe urrejmë Perëndimin dhe anasjelltas. Është një fushatë e egër kundër Gjermanisë, këtë nuk duhet ta bëjmë, ata punësojnë 83.000 nerëz në Serbi. Fatkeqësisht, vendi ynë është bërë vatër e luftës hibride e të gjitha shërbimeve të huaja që marrin pjesë në luftën në Ukrainë”, tha Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Serbisë në BE, duke paralajmëruar se mund t`i bashkohet bllokut global ekonomik – BRICS, ku kësaj jave nikoqir në Rusi ishte Vladimir Putini – shkruan Gazeta britanike “Times”.
Sipas gazetës, Beogradi tashmë një kohë të gjatë balanson midis Lindjes dhe Perëndimit, por me luftën në Ukrainë, peshorja gjithnjë e më shumë anon drejt Kremlinit.
Disidentët rus dhe bjellorus që fshehen në Serbi, sipas “Times”, thonë se autoritetet serbe kanë nisur me përndjekjen e tyre me urdhër të Kremlinit, kurse gishti drejtohet tek ish-shefi I BIA-s dhe Nënkryetari I Qeverisë serbe, Aleksandar Vulin.
THE TIMES
“Vulini është personi që dërgohet në Rusi kur duhet të flirtohet me Kremlinin. Këtë javë bashkë me disa ministra udhëtoi në Samitin e BRICS-it në Kazanj të Rusisë, ku ishte takuar me liderët e Kinës, Bjellorusisë, Venezuelës dhe Egjiptit, kurse për mediat ruse ka deklaruar se shpreson që Beogradi do t`i bashkohet bllokut. Ndërkohë, Kryeministri Milosh Vuçeviq, është dërguar në kryeqendrat evropiane për të biseduar rreth anëtarësimit të Serbisë në BE”
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, të premten kishte anuluar një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, në Beograd.
Arsyeja e anulimit, sipas KE-së, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Më herët të premten, shefja e KE-së u takua me presidentin e Serbisë, me të cilin bisedoi për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.