Orban u bën thirrje hungarezëve t’i “rezistojnë” BE-së pasi duan ta rrëzojnë qeverinë e tij

Kryeministri nacionalist Viktor Orban i ka paralajmëruar hungarezët të mërkurën se ata duhet t’i “bëjnë ballë” patjetër Bashkimit Evropian, duke thënë se Brukseli po përpiqet ta rrëzojnë Qeverinë e tij.

Duke folur në një ngjarje për shënimin e kryengritjes së vitit 1956 kundër represionit sovjetik, e cila u shtyp brutalisht nga Ushtria e Kuq, Orbani tha se BE-ja dëshiron ta vendosë një “qeveri kukull” sepse “politikat e pavarura hungareze janë të papranueshme për Brukselin”.

Orbani shihet si aleati më i ngushtë i Moskës në BE.

Ai tha gjithashtu se “ushtarët sllavë nga lindja” mund të vendosen në Hungari përsëri, duke iu referuar Ukrainës.

Ai nuk dha prova për t’i mbështetur pretendimet e tij gjatë fjalimit në këtë ngjarje para mijëra mbështetësve të vet. Orban e ka përdorur këtë ngjarje në ta kaluarën për ta krahasuar BE-në me Bashkimin Sovjetik.

BE-ja e ka pezulluar mbështetjen financiare në vlerë miliarda euro për Hungarinë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth politikave të Orbanit, të cilat janë kritikuar shumë se po e çrrënjosin sundimin e ligjit në shtetin e Evropës Qendrore.

Hungaria dhe BE-ja kanë muaj që fjalosen edhe për ndihmën për Ukrainën, emigracionin, dyshimet për keqpërdorimin e fondeve të bllokut dhe shkeljen e ligjeve të saj. /REL/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share