“I falen Allahut 5 herë në ditë dhe nuk paguajnë sigurimet shoqërore”, Rama për sipërmarrësit, vjedhin pensionistët

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një takim me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit, ka deklaruar se pagat reale në Shqipëri janë “600 euro për sanitare dhe mbi 1100 euro paga mesatare për sektorët e tjerë”, por këto paga nuk deklarohen nga bizneset.
“Këto janë pagat reale për sektorët përkatës, në të gjitha shërbimet e kësaj natyre në Tiranë dhe pak më e ulët në zona të tjera.

Por, kur vjen puna te deklarimi i pagave, pasqyra është komplet tjetër. Ne jemi i vetmi vend i rajonit që e kemi biznesin e vogël me 0 taksa.

Sa për kuriozitet, nuk ka vend tjetër në botë besoj, ku vetëm 10% e bizneseve paguajnë tatim-fitimi. 90% janë të çliruara nga barra e tatim-fitimit, si rezultat i një strategjie dhe vendimmarrje të qeverisë sonë prej vitesh tashmë, që kemi vendosur që deri në vitin 2029 biznesin e vogël ta lëmë pa taksa. Kjo për t’i dhënë frymëmarrje që të zhvillohet. Por, ka një shifër tjetër akoma më të jashtëzakonshme: në Shqipëri vetëm ¼ e bizneseve paguajnë TVSH.

Na mungon kontributi i sipërmarrjes te buxheti që shkon për pensionet. Si do t’i bashkojmë ne këto të dyja? Që edhe i kemi dhënë lehtësira sipërmarrjes, edhe sipërmarrja vjedh pensionistët… Më falni, se fjala është shumë e rëndë, por nuk e di çfarë emri t’i vë tjetër. Është grabitje sepse sigurimet shoqërore janë detyrimi i parë, edhe përpara taksave”, tha Rama, shkruan A2 CNN.
“Nëse Shqipëria do të vazhdonte mbi taksën e sheshtë mbi pagën, ne do të kishim më shumë të ardhura edhe për sigurimet shoqërore, por do të merrnim më shumë nga xhepi i punonjësve. Ne e hoqëm taksën e sheshtë dhe e bëmë progresive dhe kemi hequr dorë nga jo pak, por nga një shumë e konsiderueshme që ia kemi lënë mësuesve, infermierëve, kamarierëve etj. Si t’ia bëjmë ne kur për 17 sektorët e ekonomisë janë 156 mijë të punësuar që deklarohen me pagë 50 000 lekë sepse e dimë të gjithë që kjo pagë është përjashtuar nga taksimi. Duke i parë sektorët me radhë, nuk ka logjikë që ta pranosh këtë gjë sepse janë paga të gënjeshtërta. Mirëpo, nga kjo gënjeshtër dhe nga kjo qasje kriminale ndaj pensionistëve ne kemi një gropë shumë të madhe, të cilën e kompensojmë sot që flasim duke vendosur gjysmë miliardë euro për të plotësuar pensionet sepse pa këtë gjysmë miliardi pensionet nuk mund të jepen në nivelin që janë sot. Është kollaj të premtosh kur e di që nuk do të kesh gjë në dorë. Problemi i pensioneve nuk zgjidhet me dëshirën e mirë vetëm. Rritja e pensioneve nuk zgjidhet duke ua marrë fëmijëve që sot janë të mitur dhe kanë nevojë për investime të tjera. Taksat janë për fëmijët, për të ardhmen, për shkolla, spitale dhe infrastrukturë. Sigurimet shoqërore janë për të moshuarit, janë dy gjëra të ndara komplet dhe nuk puqen bashkë”, shtoi kryeministri.

Më tej, ai theksoi se sipërmarrësit kanë edhe një arsye tjetër për të paguar sigurimet shoqërore.

“Nëse duam të shtojmë pensionet, edhe nëse i shtojmë në mënyrë të njëanshme, nuk i shtojmë dot sa duhet nëse nuk futet në lojë pala tjetër, që janë sipërmarrësit. Kur të shkoni te dera e botës tjetër, ku nuk ka karta krediti dhe nuk funksionon leku në dorë, do të dalë Shën Pjetri dhe kur t’i thoni se çfarë keni bërë. Qoftë edhe për këtë moment, ato që u takojnë pensionistëve nuk duhet të diskutohen. I falen Allahut 5 herë në ditë dhe nuk i paguajnë sigurimet shoqërore ashtu siç duhet”, u shpreh Edi Rama.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share