Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se pushteti është në panik pas shpërthimeve të njëpasnjëshme të skandaleve.
Kjo thotë ai po i shtynë drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Por, Abdixhiku thotë se zgjedhjet e ardhshme nuk bëhen për atë se kush po shanë më mirë, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Ai ka përmendur çmimet e larta, pagat e ulëta, mungesën e investimeve, ikjen e të rinjve, duke thënë se rrugëtimi i tij dhe partisë së tij do të jetë drejt një Republike që qytetarët e Kosovës e meritojnë.
“Paniku i pushtetit pas shpërthimeve të skandaleve të njëpasnjëshme, po i shtynë ata drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef.
Sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet! Skandalet do të thellohen, me to dhe ofendimet. Sepse sharja është e lehtë, sidomos për ata që se bëjnë dot një shenjë ani pse kishin 51% e plot 12 miliardë euro buxhet!
Por zgjedhjet e ardhshme s’bëhen se kush shanë e kush pështynë më mirë. Po ua japim këtë medalje që në fillim.
Zgjedhjet e ardhshme bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, investimet që s’bëhen, punët që s’janë, ikjen masive, shkollat e dobëta e spitalet e vjetëruara; për përballjet e brengat e familjeve kosovare nga mëngjesi deri në mbrëmje! Zgjedhjet e ardhshme bëhen për hapin e domosdoshëm të Kosovës drejt familjes euroatlantike; aty ku Shqipëria dje nisi anëtarësimin – e ne vazhdojmë nën masa, pa njohje e pa anëtarësime.
Këtu, në këtë fushë do të na gjeni ne. Mua dhe ekipin tim të programit ‘Rruga e Re’; këtu, në këtë përpjekje, do të përpiqemi të bëjmë bashkë secilin që ndjenë se rrugëtimi i domosdoshëm i Republikës nuk bëhet dot me kaq shumë mllef e ndarje, me kaq pak rezultat. Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty!
Nga sot, deri më 9 shkurt, ju ftoj të bëni këtë rrugëtim me mua. Rrugën, drejt një Republike që e meritojmë, drejt shpresës e jetës së mirë, duhet ta bëjmë bashkë. Dhe rrugën do ta bëjmë bashkë”, shkruan Abdixhiku.